Dy muaj të vështirë, ndoshta më delikatët e karrierës së tij si trajner, por tashmë ka ardhur momenti për të festuar dhe për t’u mbyllur gojën kritikëve të tij që në Greqi kanë qenë të shumtë. Në ndeshjen e parë miqësore tifozët e Olympiacos i rezervuan një pritje armiqësore me atë banderolë “Kosova është Serbi”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre që në stolin e Olympiacos ulej një trajner shqiptar, por Besnik Hasi nuk e humbi asnjëherë durimin dhe u përgjigj me një kualifikim të merituar në fazën e grupeve të Champions League pas një sezoni të dështuar të kamionëve të Greqisë në Europë.
Presidenti Evangelos Marinakis ishte njeriu që e mbrojti edhe në momentet më të vështira dhe Hasi gjen rastin ta falënderojë pas suksesit 1-0 në fushën e Rijekas. “Ishin dy muaj shumë të vështirë, ku kemi punuar shumë. Shumë urime për lojtarët që nuk u dorëzuan. Falënderoj edhe presidentin që më ka mbështetur në çdo hap, duke më sjellë lojtarët që i kam kërkuar. Ai na ka ndihmuar shumë në këtë kualifikim”, u shpreh Hasi pas ndeshjes.
Besnik Hasi rikthen në grupet e UEFA Champions League skuadrën e Olympiacos pas një sezoni të dobët në Europë, ndërsa Elseid Hysaj ndihmon Napolin për të siguruar një tjetër fitore në përballjen e dyfishtë me Nice. Trajneri shqiptar i skuadrës nga Pireu u emërua në krye të Olympiacosit gjatë kësaj vere me objektivin e vetëm, kualifikimin në fazën e grupeve dhe ai e arriti këtë objektiv, pasi mposhti edhe në sfidën e dytë kampionët e Kroacisë, Rijekan. Mjaftoi një gol i Marko Marin në minutën e 25 për të vendosur diktatin në stadiumin kroat dhe për t’i siguruar skuadrës së Hasit një biletë për në fazën e grupeve.
Kualifikimi është një hap i madh për trajnerin shqiptar që një gjë të tillë e arriti edhe dy sezone më parë me Legian e Varshavës. Tashmë, Hasi do të kërkojë të hedhë një tjetër hap, atë të kalimit në fazën tjetër të UEFA Champions League edhe pse për të dhe skuadrën nga Pireu do të jetë një mision i vështirë. Ndërkohë, në transfertën e Nice, Napoli fitoi 2-0 me gola të Callejon dhe Insigne, duke e mbyllur çështjen e kualifikimit përfundimisht, pasi francezët pësuan të njëjtën disfatë me ndeshjen e parë të luajtur në “San Paolo”. Elseid HYsaj u aktivizua titullar në këtë përballje, duke zhvilluar një tjetër 90 minutësh pozitiv. Nuk ka festë për Sokol Cikalleshin, i cili nuk ishte i pranishëm as në stolin e Istambul gjatë barazimit 2-2 në Sevilla, ku skuadra turke nuk arriti të bënte mrekullinë dhe e lejoi ekipin andaluzian të siguronte kualifikimin në fazën e grupeve.