Profesori universitar dhe analisti Ermal Hasimja, në një intervistë me Skype në News 24 me moderatoren Ina Qirjo, foli për një sërë çështjesh aktuale politike.
Në lidhje me mandatin e Xhaçkës, Hasimja deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë të zbatueshme e nuk duhet që të diskutohen. Ai tha se nëse nuk merret parasysh mendimi i GJK, rasti hap precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
“Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet, nuk ka nevojë të merret vendim tjetër. Është parim i thjeshtë unik i demokracisë. Nuk ka instancë tjetër që mund të vendosë ndryshe, përfshirë parlamentin. Rasti hap precedentë të rrezikshëm për të ardhmen. Çdokush e di shumë mirë se vendimet e GJK janë të zbatueshme menjëherë. Niveli i funksionit të demokracisë ka rënë tepër poshtë. PS po diskretitohet në sytë e kujtdo që kupton nga mënyra sesi funksionin shteti dhe instancat e tij. Çdo gjë që ndodh pas një vendimi të paligjshëm, është juridikisht e pavlefshme dhe absurde”, tha Hasimja.
I pyetur për rastin e vrasjes së një adoleshenti në Tiranë, Hasimja deklaroi se përgjegjësia nuk mund t’i lihet vetëm shkollës. Sipas tij, duhet fuqizuar mësuesi, që të kontrollojë sjelljen e nxënësve.
“Në rastin në fjalë nuk mund t’ja lësh përgjegjësinë vetëm shkollës për atë që ka ndodhur. Duhet parë problemi tek prindërit në radhë të parë, që a e shikojnë se çfarë bëjnë fëmijët e tyre. E dyta është ndikimi i frikshëm i shoqërisë. Patjetër është edhe roli i shkollës. Nuk është problemi tek kontrolli, se nuk do kontrollojë mësuesi a ka nxënësi thikë apo jo. Duhet fuqizuar mësuesi, të kontrollojë sjelljen e nxënësve. Mësuesi sot në arsimin shqiptar nuk ka autoritet. Mësuesi edhe ta dijë se një nxënës është i rrezikshëm, e ka të pamundur që të ushtrojë autoritetin, pasi mësuesin vetë nuk ka kush ta mbrojë. Çështja është që mos kemi nxënës që shkojnë në mësim me thika”, u shpreh Hasimja.
Për Hasimjan, maxhoranca dhe opozita po përpiqen që ta dobësojnë SPAK-un.
“Edi Rama tha se nëse vëllai im del i implikuar te dosja e Xibrakës, jap dorëheqjen nga politika. Jetojmë në një vend ku asgjë nuk është çudi. E shoh si përpjekje për t’i mbushur mendjen qytetarëve, që kryeministri s’ka lidhje me akuzat. Mund të jetë edhe presion mbi drejtësinë. Maxhoranca po përpiqet të dobësojë fuqinë e SPAK, me anë të Komisionit Xhafaj. Kjo, pasi të korruptuarit janë në pushtet. Çmimi për Altin Dumanin nuk jepet rastësisht, por u dha me mesazh politik. SHBA ka dashur të thotë që përkrah atë që po bën SPAK. SHBA i bën me dije kujtdo që sulmon SPAK, që pas këtij institucioni qëndron Uashingtoni”, deklaroi ai.
Ermal Hasimja shprehet se nuk sheh një “mosbindje civile” nga ana e PD-së, por thjesht protesta. Sipas tij, që të realizosh një mosbindje civile, duhet që të kesh me vete shumicën e popullsisë, por se Partia Demokratike nuk gëzon mbështetjen e madhe të qytetarëve. Hasimja e sheh të gabuar edhe diskursin e PD kundër SPAK, pasi Struktura e Posaçme është institucioni më i vlerësuar nga qytetarët shqiptarë.
“Një nga gjërat që mund t’i kthehet boomerang opozitës janë sulmet ndaj SPAK, që është institucioni më i besueshëm në vend. PD ka një gjuhë antiSPAK, është qëndrim kundër perceptimit të opinionit publik, i prish punë nga ana elektorale. Opozita duhet të ishte mbështetësi më i madh i SPAK. Siç po shkojnë protestat njëra pas tjetrës, nuk janë mosbindje civile, por janë protesta. E vetmja gjë që opozita ka paralizuar ka qenë trafiku, që ka lodhur qytetarët. Nuk ndodh mosbindja civile, nëse nuk ke shumicën e qytetarëve me vete. Sali Berisha po mban një qëndrim, me qëllim që të krijojë pozitivitet tek votuesit. Duhet që Berisha pozitivizmin ta shoqërojë me prova, për të bindur që gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”, përmbylli Hasimja.