HEC-et në Kaçinar, banorët kërkojnë pezullimin e punimeve

Dhjetëra banorë të njësisë administrative Kaçinar u ngjitën paraditen e së martës në bjeshkë për të protestuar kundër ndërtimit të katër hidrocentraleve nga koncensionari “Shpërdhaza-Energji”.

Mes tyre ishte dhe Pashk Nikolli, banor i fshatit Simon, i cili kujtoi se dikur shtatë fshatrat e Kaçinarit i gëzoheshin 18 mullinjve që punonin me ujin e bjeshkëve, por që tani ky ujë rrezikon t’u merret nga HEC-et.

Në hyrje të rrugës, në sheshpushimin e krijuar nga makineritë e rënda të kompanisë, ishin vendosur forca policie, të njoftuara më herët për organizimin e banorëve.

“Është një individ që ka bërë pesë lekë atje me forma të ndryshme dhe do t’i investojë këtu, por ky objekt nuk do të bëhet,” theksoi Fran Ndoj, banor i Arrësit, për Citizens.al.

Pavarësisht kundërshtimeve të përsëritura, pak ditë më parë makineritë e kompanisë mësynë në pyjet e Kaçinarit për t’u vendosur pranë burimeve të ujit.

“Kemi bërë protestë më 30 mars në Qafë Vorres dhe vendosëm që të ndaleshin punimet dhe të bëhej lëvizja e mjeteve nga firma. Ata nuk e kanë respektuar këtë vendim. Edhe sot, nuk ka asnjë përfaqësues të firmës këtu, çka tregon se nuk kanë asnjë dokumentacion ligjor, sepse çdo ditë lëvizin të shoqëruar nga policia,” tha Gjergj Deda, kryetar i fshatit Simon.

Banorët thonë se ndaj firmës është bërë kallëzim penal lidhur me 29 firmat e mbledhura në emër të banorëve, të cilat ata i konsiderojnë të falsifikuara. Njësoj ata thonë edhe për konsultimet publike.

“Është bërë vetëm një dëgjesë publike e falsifikuar, jo dëgjesë, por dëgjesë tavoline,” shtoi Gjergj Deda, i cili argumentoi pretendimin për falsifikim me faktin që sipas tij në listë janë edhe firmat e dy personave të cilët jetojnë prej vitesh jashtë shtetit.

Për Gjok Beqirin, tjetër banor i fshatit Simon, prania e lartë e policisë ishte e pajustifikueshme. Ai kërkoi që forcat e rendit të mbronin interesat e komunitetit dhe jo të kompanisë.

“Siç iu del zot objekteve të firmës, t’iu dalë zot edhe popullit të Kaçinarit, sepse kemi edhe ne pjesë të shefi i policisë, jo vetëm objektet,” tha Beqiri.

Ai shtoi më tej se toka dhe uji janë trashëgimi e brezave të parë të familjeve të tyre dhe nuk mund të jepen sipas dëshirës së të tjerëve.

Banorët theksuan se projekti është i paligjshëm dhe mohuan të kenë dhënë ndonjë firmë në mbështetje të tij.

“Dalin e thonë kemi dëgjesë publike. Ne po kërkojmë tetë vite atë të firmës e nuk po e shohim. Na vjen një përfaqësues i shtetit këtu me 50 policë dhe thotë kanë leje ndërtimi, mbrojnë një objekt. Unë di që kur merr një leje ndërtimi vendoset një tabelë, afishohet leja e ndërtimit që komunitetit të jetë i ndërgjegjshëm,” u shpreh Tonin Beqiri, gjithashtu nga fshati Simon.

Bashkia Mirditë: Kemi kërkuar inspektim nga Ministria e Mjedisit

Pasi u përballën me makineritë e kompanisë të vendosura tashmë në bjeshkë, banorët e fshatrave të Kaçinarit kërkuan takim me kryetarin e Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi. Pritja u bë në hyrje të godinës së bashkisë, ku komuniteti përsëriti kërkesën për pezullimin e punimeve.

Banorët pretendojnë se koncesionari po punon pa leje mjedisi. Për këtë pretendim kryebashkiaku u shpreh se kishte dërguar kërkesë për inspektim pranë ministrive përkatëse që kanë lëshuar lejet, pasi projekti nuk hyn në kompetencat direkte të bashkisë.

“Shkresën e kemi dërguar, presim që të vijnë dhe të shkojmë të bëjmë inspektimet. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka tagrin ligjor për të marrë vendimin e pezullimit të punimeve në momentin që kompania nuk është në përputhje me ligjin”, deklaroi Mëlyshi.

Sipas tij, bashkia është e detyruar, që me kërkesën e banorëve të njoftojë Inspektoratin Kombëtar të Territorit për ta njohur me shqetësimin e tyre, por nuk ka tagrin për të pezulluar punimet.

Mëlyshi u angazhua gjithashtu se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, që do të mbahet të premten, do t’i qëndrojë zotimit për të anuluar kontratën e dhurimit me kompaninë “Shpërdhaza-Energji”, që i jepte kësaj të fundit të drejtën për të investuar në zonë.

Ndërkohë, palët kanë rënë dakord që të mblidhen sërish të mërkurën pas Pashkëve Katolike, për një takim tjetër mes banorëve dhe përfaqësuesve të firmës ndërtuese./citizens.al

Exit mobile version