Hector Cuper: Salah do të shkojë te Real Madrid

Real Madrid është i interesuar për të blerë sulmuesin e Liverpool, Mohamed Salah, ka thënë trajneri i kombëtares së Egjiptit, argjentinasi Hector Cuper. Që kur u transferua në “Anfield Road”, për 65 milionë euro, gjatë verës së kaluar, 25-vjeçari ka qenë në një formë të shkëlqyer. Salah ka shënuar 18 gola me “të kuqtë”, në Premier Leauge dhe e ka ndihmuar kombin e tij të fitojë të drejtën për të luajtur në Kupën e Botës 2018. Paraqitjet e tij e kanë bërë të famshëm në të gjithë planetin dhe Real Madridi, dy herë radhazi kampion i Europës, duket se është vënë në gjurmët e tij…
“Unë kam marrë lajmin nga një burim i besueshëm se Real Madrid është i interesuar seriozisht për blerjen e Salah nga Liverpool, por të mos nxitohemi për këtë argument, tha ish-trajneri i Valencia dhe Inter, Hector Cuper, aktualisht ‘timonieri’ i Egjiptit, në një intervistë për ‘ON Sport TV’. Për mendimin tim kjo do të ishte një lëvizje pozitive. Salah ka mentalitetin e duhur për të qëndruar për një kohë të gjatë ndër më të mirët e futbollit. Unë mendoj se ai nuk do të qëndrojë për një kohë të gjatë te Liverpool. Së shpejti, do të jetë pjesë e Real Madrid”.

Artikulli paraprakRonaldo drejt largimit?
Artikulli tjetër“Ndizet” Ligue 1