Ka qenë një sfidë, sepse nëse deri para viteve ’90, Shqipëria kishte hekurudha që mbulonin transportin e njerëzve dhe mallrave, dyzet vite më pas asnjë qeveri nuk ka arritur jo vetëm ta zgjerojë rrjetin, por ka sjellë degradimin e hekurudhave.
Por teksa rrugët dhe portet janë nën radarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë, sektori hekurudhor është një tjetër plagë, e cila shkakton hemorragji të fondeve publike, e cila i ka shpëtuar skanerit të SPAK-ut. Faktet po tregojnë se investimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe të shoqërisë publike “Hekurudha” sha janë pretekste për të tenderuar fonde publike për kompanitë pranë oborrit qeveritar.
Nga hulumtimet e “Vetting” rezulton se investimet më të rëndësishme për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës kanë tejkaluar afatin, ndërsa shteti shqiptar ka marrë një tjetër kredi për punime shtesë, një premtim i pambajtur nga zv/kryeministrja Belinda Balluku. Kjo ka sjellë rritjen e kostos nga 70 milionë euro që ishte oferta fituese e shoqërisë italiane INC S.P.A në 92 milionë euro, pothuajse sa oferta e dy kompanive e tjera që u shkualifikuan. “Vetting” ka zbuluar se ish -drejtorët e zv/kryeministres Balluku dhe persona që kanë punuar për njerëzit e saj më të afërt nëpërmjet kompanive fantazmë dhe pa eksperiencë marrin tendera nga hekurudha, kontrata publike, të cilat janë me shkelje ligjore. Madje kemi zbuluar se këto kompani nuk kanë zbatuar detyrimet e kontratave dhe Hekurudha Shqiptare i ka anashkaluar duke sjellë dëme ekonomike, që pasqyrohen edhe te falimenti i kompanisë publike. 4 vjet më parë, në shkurt 2021 në një konferencë për shtyp ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi se kishin arritur të firmosnin kontratën me kompaninë Italiane INC S.P.A. për rehabilitimin e linjës hekurudhore DurrësTiranë-Rinas. Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga deklarata e zv.kryeministres Balluku dhe përsëri punimet nuk kanë përfunduar.
Projekti parashikonte rehabilitimin e linjës ekzistuese dhe do të përmirësonte cilësinë e lëvizjes së qytetarëve dhe do të zvogëlonte distancën me 22 minuta nga Tirana në Durrës, ndërsa për Rinasin vetëm 12 minuta. Madje ministrja Balluku tha publikisht se do të punësoheshin 2200 punonjës ndërkohë që kursimet nga përdorimi i trenave në krahasim me automjetet private do të ishte 55 milionë euro në vit.
“ELMAZAJ KONSTRUKSION”
Para se të fillonte projekti për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas minimalisht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të dëgjonte zërin e qytetarëve, gjë e cila nuk është respektuar. Ka qenë Kuvendi i Shqipërisë, që e pranon se nuk është zhvilluar konsultimi publik. Shpallja për tenderin ndërkombëtar të rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e linjës hekurudhore deri në aeroportin “Nënë Tereza” u bë më 11 qershor 2019, në faqen online të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në fazën finale të tenderit, do të merrnin pjesë tre kompani “STS-KALPATARU (KPTL) J.V”, “SINOHYDRO- EEB J.V.A” dhe kompania italiane “INC S.P.A”. Tenderi do të fitohej nga kjo e fundit me ofertën pasi paraqiti ofertën më të ulët prej 69.6 milionë eurosh, teksa dy kompanitë e tjera u shkualifikuan pasi kishin oferta të njëjta me njëra-tjetrën në vlerë 92.2 milionë euro. Por gara ndërkombëtare për këtë kontratë publike dhe monitorimi i investimeve nga BERZH, Bashkimi Europian dhe nga qeveria shqiptare, nuk dhanë dot garancinë se ky projekt publik do të realizohej dhe inaugurohej brenda verës së vitit 2023. Gjithashtu, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, përfituan pa garë një vlerë të konsiderueshme monetare, me justifikimin se ishin rritur çmimet dhe kostoja e punës, shumë që qeveria e siguroi sërish përmes një huaje nga BERZH-i. Sipas të dhënave nga BERZH-i, ky projekt parashikon rehabilitimin e 34.7 km të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e 5.4 km deri në aeroportin e Rinasit. Ai është pjesë e rrugës së dytë të rrjetit kryesor të Ballkanit Perëndimor, që lidh qytetet e Podgoricës në Mal të Zi dhe të Vlorës në Shqipëri. Sipas BERZH-it, projekti do të mbështesë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe do të kontribuojë në integrimin e vendit, duke fuqizuar lidhjen e qyteteve më të rëndësishme me Portin e Durrësit dhe aeroportin “Nënë Tereza”.
Në njoftim, BERZH shkruan se i ka dhënë hua qeverisë shqiptare në vlerën 77.5 milionë euro për realizimin e këtij projekti me kosto totale 140.8 milionë euro.
Nga kërkime në terren rezulton se për rehabilitimin e linjës hekurudhore janë nënkontraktuar disa kompani të tjera për kryerjen e punimeve. Konkretisht nga filmimet në terren rezulton se disa nga punimet po kryhen nga “Elmazaj Konstruksion” në pronësi të Shkëlqim dhe Mirel Elmazajt. Kjo kompani është themeluar në vitin 2013 dhe ka marrë miliona euro tendera nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe institucione të tjera. Deri në këtë pikë çdo gjë është në rregull, por është objekti i veprimtarisë së kompanisë që ka ngritur pikëpyetje për nënkontraktimin. Nëse lexojmë te ekstrakti i kompanisë “Elmazaj Konstruksion” shpk do të zbulojmë se deri në maj 2023 si fushë veprimtarie kishte ndërtime civile, turistike, industriale, bujqësore, rikonstruksione, ndërtime banesash shumëkatëshe, ndërtime rrugësh, punime të mirëmbajtjes dhe sinjalizimit në rrugë, ura dhe vepra arti, rikonstruksione godinash etj. Ndërkohë që në 13 maj 2023 do të shtonte alternativat te objekti i veprimtarisë si “ura hekurudha” etj. Ka shumë pikëpyetje se si kjo kompani që nuk ka punuar asnjë ditë të vetme në sektorin hekurudhor, pa pasur eksperiencë në punime dhe e pa pasur objekt të veprimtarisë është marrë si nënkontraktor nga kompania italiane ndërkohë që Hekurudha Shqiptare e ka lejuar këtë ndryshim kontrate.
“Vetting” kontaktoi juristen e kompanisë
“Elmazaj Konstruksion” për arsyet e vonesave me punimet, por deri në publikimin e këtij materiali nuk kemi pasur asnjë reagim nga kompania apo përfaqësuesit e saj. Por nënkontraktimi është vetëm njëri nga problemet që bie mbi buxhetin e shqiptarëve me kostot që vetëm rriten dhe me vonesat e projektit që nuk realizohen.
Rrethi i njerëzve të Ballukut
Në shoqërinë publike Hekurudha Sh.a, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka rolin e monitoruesit dhe hartimit të politikave dhe ka përfaqësues te Bordi i Këshillit Mbikëqyrës. Praktikisht Drejtoresha e Përgjithshme te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Erjola Muka është kryetare e Këshillit Mbikëqyrës, ndërkohë Irena Malolli, një tjetër drejtoreshë e Përgjithshme te Ministria e Infrastrukturës është anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere publike.
Por çfarë roli ka Këshilli Mbikëqyrës te kjo kompani? Sa ndikim kanë te tenderat dhe projektet që po zhysin në borxhe shqiptarët te të huajt? Sipas nenit 11, të statutit të Hekurudhës Shqiptare sh.a. Këshilli Mbikëqyrës ka të drejtë të kontrollojë e të mbikëqyrë zbatimin e politikave tregtare të shoqërisë, përcaktimin dhe ndryshimin e programit afatshkurtër, afatmesëm, dhe afatgjatë të shoqërisë. Pra, ka kompetenca të rëndësishme, të cilat lidhen drejtpërdrejt me administratorin e shoqërisë.
Më 26 shkurt 2018, një kompani e re “ERIL B&B” do të themelohej nga ortakët Ilir Shabani dhe Ergert Deliallisi, e cila kishte si objekt të veprimtarisë aktivitete në fushën e ndërtimit, tregtisë, shërbime dhe projektime. Disa muaj më pas, në shtator 2018 kjo kompani do të kishte si administrator Tedi Spahin dhe njëkohësisht do të zgjeronte aktivitetin e saj duke përfshirë ndërtime më komplekse si hekurudhat dhe import tregti te materialeve hidraulike, si dhe import-eksport të materialeve të ndryshme. Kjo kompani do të fitonte disa tendera nga Hekurudha, të cilët kanë dalë me probleme sipas dokumenteve të siguruara nga “Vetting”, duke rezultuar me shkelje në zbatimin e kontratës. Vetë gara për të fituar tenderat ka zbuluar se grupi i Komisionit të Hartimit të Dokumenteve për tenderat e organizuar nga Hekurudha ka bërë shkelje, që kanë dëmtuar konkurrencën dhe barazinë në tendera, duke favorizuar kompaninë e punëtorëve të Spartak Kovaçit dhe të vet babait të ish-drejtorit të Ujësjellësit Durrës.
Spartak Kovaçi ka qenë për shumë vite drejtues i Ujësjellësit të Durrësit, duke sjellë falimentimin e kompanisë shtetërore, e cila deri në kohën që ka qenë Kovaçi ka qenë në varësi të Bashkisë Durrës. Ish drejtori njihet si person me ndikim në fushatën zgjedhore të Durrësit dhe ka qenë në qendër të akuzave nga Partia Demokratike.
Skandalet dhe përdhosja e ligjit nga Spartak Kovaçi do të kulmonte kur me anë të kompanisë “ADRIATIK” shpk, në pronësi të babait të tij, Petrit Kovaçi do të merrte tenderin me vlerë 20 milionë nga Programi i Rindërtimit së bashku me dy kompani të tjera. Ky është vetëm njëri nga tenderat që tregoi se Rindërtimi nuk ishte një fatkeqësi që nisi dhe mbaroi me tërmetin, por katastrofa natyrore evidentoi se kompanitë e familjarëve të zyrtarëve të lartë përfituan fonde publike në shkelje të ligjit. Madje kjo kontratë ka patur probleme me zbatimin dhe realizimin e punimeve, gjë për të cilën Bashkia Durrës pretendon se ka bërë amendime të kontratës.
Por cilët janë tenderat që këto kompani kanë marrë nga Hekurudha Shqiptare? Kompania e babait të Spartak Kovaçit së bashku me kompaninë “ERIL B&B” në pronësi të njerëzve që kanë punuar për Petrit Kovaçin, kanë marrë kontratat “Rikonstruksion i reparteve dhe linjave hekurudhore te NJSHML” me vlerë 50 mijë euro dhe kontratën “Punime për mbrojtjen e linjës”.
Për tenderin e parë kompanitë janë shpallur fitues në qershor 2019, por saga e këtij tenderi i ka problemet që në gjenezë. Konkretisht në shkurt 2019, grupi që ka hartuar dokumentet, specifikimet teknike i ka me mangësira. Sipas auditit rezulton se projektet nuk janë shoqëruar nga licencat e projektuesve me kategoritë përkatëse. Në këto raste është e domosdoshme që personat përgjegjës për realizimin e projektit duhet të jenë të licencuar sipas kategorive të punimeve që do të kryhen. Sipas audituesve, këto kushte janë në shkelje të veprimeve të VKM-së nr. 759, datë 12.11.2014 “Për licencimin profesional të individëve dhe subjekteve juridike që do të ushtrojnë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”.
Ka qenë Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila në maj 2019 ka dërguar e-mail Hekurudhës Shqiptare pasi ka zbuluar probleme me dokumentet standarde të këtij tenderi. Tenderi tjetër që është me flamur të kuq për shkak të shumë problemeve lidhet me “Punime për mbrojtjen e linjës”, i cili është fituar në nëntor 2019 nga kompania punonjësve të babait të Spartak Kovaçit së bashku me kompaninë “VARAKU E” (Ish-MIVAR) në pronësi të Shpëtim Varakut me ofertë fituese 17,7 milionë lekë ose 150 mijë euro.
PROBLEMET ME KONTRATËN
Dy indicie përbëjnë një provë, thonë italianët. Edhe në këtë rast problemet e kanë zanafillën nga Komisioni i Hartimit të Dokumenteve, të cilat ngrenë dyshime se ky grup mund të ketë pasur ndikime apo instruksione nga hierarkia më e lartë e institucioneve.
Në dokumentet e tenderit nuk ka të dhëna mbi traversat që do të përdoren si edhe vizatime për to, konkretisht për “Punime për mbrojtjen e linjës Zhame km 40+050 perigoni Rrogozhine-Lushnje” dhe “Ndërtim mure pritës ne km 67+050 perigoni LushnjeFier (Gogolas)”. Në asnjë rast, në specifikimet teknike edhe në vizatime nuk janë dhënë përmasat dhe kriteret që duhet të zbatohen për traversat.
Edhe arsyetimi për nevojën e prokurimit për “Punime për mbrojtjen e linjës” ngre pikëpyetje pasi edhe këto dokumente janë të paqarta. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, komisioni bazohet te një dokument pa numër dhe datë, ku jepet arsyetimi i rrëshqitjeve të trasesë, dëmtimi i veprave të artit nga rrëshqitjet si dhe dëmtimi i mureve mbajtës dhe pritës ekzistues nga rrëshqitja e dherave, bllokimi i kanaleve kulluese, etj., dhe përmbytjet, por nuk i jep të specifikuara sipas linjave.
Auditi zbulon se në procesverbalin e Njësisë së Hartimit të Dokumenteve të Tenderit kemi shkelje të ligjit pasi nuk janë zbatuar përcaktimet e nenit 61 të VKM-së nr. 914, datë 29.12.2014, “Për rregullat e prokurimit publik”, në të cilin është përcaktuar se çdo kriter i veçantë dhe specifikim teknik duhet të argumentohet teknikisht dhe ligjërisht, si dhe të dokumentohet në një procesverbal. Kujtojmë se ky tender ka dështuar të finalizohet herën e parë dhe është rishpallur procedura e dytë, ku është lidhur kontratat me bashkimin e operatorëve ekonomikë. Më 28 shtator 2019, Agjencia e Prokurimeve Publike nisur edhe nga fakti që tenderi është rishpallur i ka bërë adresime Hekurudhës Shqiptare që t’i plotësojë dokumentet standarde konform rregullave. Kjo kontratë ka pasur probleme me zbatimin, probleme të cilat ngarkojnë me përgjegjësi kompanitë dhe institucionin publik. Sipas auditit është zbuluar se mungon sinjalistika hekurudhore, si ajo që nevojitet për makinistët e trenave, por edhe sinjalistikë për këmbësorët ose automjetet që kalojnë kryqëzimet hekurudhore. Madje Hekurudha Shqiptare nuk ka marrë asnjë masë për saktësimin e distancës së linjave hekurudhore, duke vështirësuar kryerjen e verifikimeve në terren, në lidhje me investimet e deklaruara. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur alarmin në lidhje me këto punime pasi ndikimi, që ato kanë lidhet me rritjen e rrezikun për aksidente hekurudhore në të ardhmen. Kovaçi është pjesë e rrethit të Ballukut, grup i cili ka përfunduar nën hetim SPAK. Ishdrejtori është kushëriri i Ceno Klosit, zv.ministri i Infrastrukturës, i cili ashtu si Kovaçi është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
EVIS BERBERI DHE TENDERAT E HEKURUDHËS
Në darkën e 13 marsit 2024, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit mësynë në banesën e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi duke e arrestuar nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Berberi ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të zv/kryeministres Balluku dhe Hekurudha Shqiptare është një institucion tjetër, ku Ministria e Infrastrukturës ka përfaqësuesit e saj të deleguar. SPAK kishte zbuluar skemën si Evis Berberi gjatë kohës që ka qenë në drejtues i Agjencisë për Eficiencën e Energjisë, por edhe në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar ka dhënë 6 tendera kompanisë së ortakut të tij Valter Begaj “NET – GROUP” shpk. Nëpërmjet transaksioneve kjo kompani ia kalonte paratë kompanisë ‘DAAM”, që Berberi zotëronte dhe kontrollonte në mënyrë indirekte.
“Vetting” ka zbuluar një kontratë me probleme që është fituar nga kompania “NET – GROUP” shpk e ortakut të fshehtë të Berberit nëpërmjet një tenderi që ka pasur indicie për korrupsion.
Konkretisht në tetor 2022 konsorciumi i kompanive “”MUHOPLUS LTD”, “VIANTE KONSTRUKSION” shpk, “ED KONSTRUKSION” shpk dhe “NET-GROUP” do të fitonin tenderin për “Riparim Vepra Arti (Mbrojtja e urës Hekurudhore te Rrogozhinës) Projektim Zbatim” me ofertë 31,4 milionë lekë ose 314 mijë euro. Ky tender shënuar me flamur të kuq pasi Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të shkualifikonte të gjitha kompanitë, duke u shpallur automatikisht fituese bashkimi i kompanive, ku bënte pjesë edhe ortaku i Berberit. Sipas “Openprocurement.al”, kjo procedurë ka indicie për korrupsion dhe favorizim kompanie, indicie të cilat do të paralajmëronin problemet me zbatimin e kontratës publike. Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, për këtë kontratë nuk janë realizuar punimet dhe një pjesë e mirë e tyre kanë sjellë dëme në buxhetin e shtetit. E thënë sa më thjesht, ky tender është rasti tipik që ka dyshime të forta për korrupsion pasi kompanitë marrin paratë ndërkohë që nuk kryejnë punimet. Çfarë ka ndodhur? Në raportin e verifikimit për punimet e kryera për këtë tender zbulohet se kompanitë nuk kanë kryer punimet, por ajo që ka ekspozuar fondet përballë dëmit financuar është mënyra se si duhet të ishte zbatuar kontrata.
*****
SPAK, kontroll me lupë ndaj “besnikut” të Belinda Ballukut, Ergys Verdho
Në projektin për Portin e Ri tregtar të Porto Romanos mungon zgjatimi i linjës hekurudhore me portin e ri tregtar, atë të Porto Romanos, i cili do të ketë një rol të rëndësishëm për importin dhe eksportin e mallrave gjithashtu në ekonominë e vendit tonë.
Agron Myftari, banori i qytetit të Durrësit me pesimizëm tregon se ky projekt ka harruar pikën më të rëndësishme, të zgjasë shinat deri në portin e ri tregtar të Porto Romanos. Premtimet i Belinda Balluku për përfundimin e punimeve mbetën vetëm fjalë boshe. Në një kohë kur qytetarët prisnin të udhëtonin me trena, projekti jo vetëm që nuk përfundoi, por pësoi ndryshime të reja bazuar në ligje të reja, që serviren si justifikime për vonesat, duke sugjeruar për mungesë planifikimi nga institucionet shtetërore. Transporti hekurudhor do t’iu mundësonte qytetarëve gjatë sezonit të plazhit të përshkonin distancën Tiranë-Durrës për 20 minuta, pa u dashur të ngecen disa orë në trafikun e mjeteve në autostradën Tiranë-Durrës, e cila çdo verë kthehet në problem. “Nuk e imagjinoni dot sa mirë ka qenë hekurudha më parë. Udhëtarët iknin me tren të gjithë, nuk ka pasur makina private, Durrës-Tiranë nuk kishte vend ku të uleshe aq shumë njerëz ka pasur. Tani presim të bëhet sa më mirë të bëhet sa më shpejtë se do të eliminojë trafikun.
Mbaron punë për 20 minuta, shkon në Tiranë dhe ktheheshe, mezi po presim. Unë për vete dal çdo ditë shikoj hekurudhën, çfarë po bëjnë, sa po ecin? Por shikoj që është një nënvlerësim i madh, vijnë 2 punëtor, ikin nuk e marr vesh fare këtë historinë e punës”, tha për “Vetting” Agron Myftari. Përveç kursimit të kohës dhe lekëve transporti hekurudhor do të ndihmonte qytetarët shqiptarë të ulnin rrezikun për aksidentet automobilistike, të cilat shtohen gjatë verës, për shkak të numrit të lartë të pushuesve. Në projektin e Hekurudhës Shqiptare mungon detaji për barrierat akustike, e cila do t’i mbronte qytetarët nga zhurma e lartë. Duke u bazuar në projektet e vendeve të Bashkimit Europian, barrierat duhet të jenë mbi 6 metra të larta për të siguruar mbrojtjen nga zhurma në zonat e banuara. Vendosja e barrierave akustike do të kërkonte 10-15 milionë euro shtesë. Sipas inxhinierit Enea Stavre, barrierat akustike duke bërë një parashikim mund të kapin vlerën deri në 10-15 milionë euro në zonat e banuara për të cilat duhet një studim i mirëfilltë.
Rezulton se Hekurudha Shqiptare, ka riskun e gjendjes së pamjaftueshme të likuiditetit. Në qoftë se shoqëria do të llogariste penalitetin e hekurudhave të huaja si dhe nuk do të çelej subvencion nga buxheti i shtetit, do të çonte në rezultat negativ akoma më të lartë për vitet ushtrimore. Duke zbritur nga pasqyrat financiare, subvencionin si e ardhur, raporti të ardhura/shpenzime do të ndryshojë duke thelluar në mënyre të ndjeshme rezultatin financiar (humbje). Sipas auditit, gjatë viteve 2019, 2020, 2021, dhe 2022 pasqyrohet një krizë likuiditeti. Hekurudha shqiptare ka detyrime të prapambetura ndaj të tretëve si kredi afatshkurtër e afatgjatë, për principalë dhe interesa, fatura për blerje në vlerën 3,87 miliardë lekë ose 38 milionë euro. Shoqëria Hekurudha Shqiptare sha. Durrës është në gjendje falimentimi, ku Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave e kanë përdorur subvencionin si të vetmin instrument për të të shpëtuar Hekurudhat Shqiptare të mos shpallnin falimentimin. Ardhja e Ergys Verdhos nga Koorporata te Hekurudha ka sjellë me vete edhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme pasi prej tetorit 2021, SPAK ka nisur hetimet për Koorporatën ElektroEnergjetike Shqiptare, periudhë e cila ka në lupë edhe ish-administratorin e KESH-it.
******
KLSH: Hekurudha shqiptare me probleme
“Hekurudha Shqiptare” SHA ka pasur dhe ka si administrator dy nga njerëzit më të afërt të zv/kryeministres Belinda Balluku, Gentian Liko në 2022 dhe Ergys Verdhon që është administratori aktual. Gentian Liko ka qenë këshilltar i Ballukut te Ministria e Infrastrukturës dhe në 18 mars 2024 është liruar nga detyra për t’u zëvendësuar nga Ergys Verdho. Ky i fundit ka qenë drejtor te Autoriteti Rrugor Shqiptar, te Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare për të kaluar së fundmi te Hekurudha Shqiptare sh.a. Por pavarësisht ndryshimit të administratorëve dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, ku Belinda Balluku ka një rol thelbësor përsëri Hekurudha Shqiptare ka borxhe dhe humbje në bilancet e deklaruara.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, shoqëria publike nuk ka të hartuar dhe miratuar gjurmët standarde të auditimit, e cila detajon procedurat kryesore dhe siguron që të gjitha operacionet e njësisë publike të dokumentohen në formën që u mundëson audituesve të brendshëm, të jashtëm dhe autoritetit mbikëqyrës të kuptojnë mjedisin e kontrollit.
Pra, që të realizohet një auditim për të finalizuar rezultatet kemi mungesa që nuk lejojnë zbulimet e problemeve, të cilat janë shkaktuar nga keqadministrimi i zyrtarëve të lartë. Sipas auditit, në këtë rast është shkelur ligji neni 16 i ligjit nr.10296, datë 08.07.2010, ndryshuar, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, që lidhet me detyrimin për përgatitjen dhe dokumentimin e gjurmës së auditit./Gazeta Panorama