Helikopteri i drogës, 10 ulje në fshatin Gotull të Ishmit

Një helikopter ka bërë 10 ulje në fshatin Gotull të Ishmit paraditen e djeshme. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi të një qytetari nga Sukthi. Banori i ka dërguar Berishës edhe videon ku duket helikopteri që fluturon mbi fshatin Gotull. “Helikopteri viziton fshatin Gotull? Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Dr. Në fshatin Gotull të Adriatikut, afër Ishmit një helikopter ka më shumë se një orë ka bërë 10 ulje”, shkruan qytetari. Dyshohet se helikopteri është ulur për t’u ngarkuar me drogë për ta transportuar drejt Italisë.
Në muajin shtator të vitit të kaluar, një avion i vogël me drogë ngeci në Ishëm. Avioni ngeci për shkak të ngarkesës së madhe me drogë. Trafikantët kishin ngarkur 3 tonë drogë, një ngarkesë shumë e madhe, të cilën nuk e përballonte avioni i vogël. Për këtë shkak, avioni nuk arriti të ngjitej në fluturim. Prej kohësh, aty ishte hapur një pistë për uljen e avionëve dhe mbushjen me drogë. Banorët e zonës bënë të ditur se, prej disa netësh kishin parë zjarre të ndezura afër pistës në Ishëm, ku trafikantët orientonin uljen e avionëve të drogës.
Më 30 tetor të këtij viti, katër avionë të rinj droge janë ulur dhe ngritur ditën në lagunën e Patokut dhe në Gjirin e Lalzit. Edhe në këtë rast, denoncimi u bë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazheve dhe videove të dërguara nga qytetarët dixhitalë. Fillimisht, Berisha publikoi në mesditë mesazhin e një banori nga Patoku, ku e informonte për dy avionë të vegjël që ishin ulur në lagunën e Patokut. Qytetari shkruante se dy avionë të vegjël në distancë maksimale 1000 metër në veri të Patokut erdhën nga deti në një lartësi jo më të madhe se 50 ose 60 metër mbi nivelin e detit. Gjithçka është parë nga gjithë njerëzit që janë ulur këtu. Avionët dukeshin me ngjyrë jeshile të errët. Disa orë më vonë, ish-Kryeministri Berisha publikoi një video, ku duken disa avionë të vegjël që fluturojnë ulët në Gjirin e Lalzit.
Dy vitet e fundit, janë kapur dy avionë të vegjël të mbushur me drogë në Divjakë dhe në Ishëm. Opozita denoncoi para tre vitesh trafikun e drogës me avionë nga Shqipëria drejt Italisë, por qeveria deklaronte se nuk janë avionë droge, por avionë të vegjël që spërkatin pyllin e Divjakës për mushkonjat.
Më 10 maj 2014 u zbulua avioni i parë që transportonte drogë drejt Italisë. Ishte një defekt në avionin e mbushur me drogë në Divjakë, që piloti nuk mundi ta ngrejë në fluturim avionin drejt Italisë. Një avion i vogël me një pilot italian është rrëzuar në plazhin e Divjakës, duke nxjerrë zbuluar qeverinë për trafikun e drogës edhe nga ajri. Disa metra më larg avionit u gjetën disa thasë me drogë, ndërsa brenda në avion ishin edhe dy çanta të mbushura me drogë të fortë, kokainë e heroinë.
Avioni u rrethua menjëherë nga forca të shumta policore, duke mos lejuar median që të afrohet. Edhe pse trafiku i drogës me avion u kap në flagrancë, Rama e mbylli këtë skandal, duke mos vënë para përgjegjësisë asnjë nga zyrtarët e lartë të përfshirë në këtë trafik droge.
Droga dyshohej se ishte e Habiljave, ndërsa për trafikimin e saj ata bashkëpunonin edhe me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Vetëm pas publikimit të përgjimeve të Antimafias italiane të Habilajve u vërtetua se, Tahiri bashkëpunonte me Habilajt për trafikun e drogës drejt Italisë.
Ndonëse opozita denoncoi me fakte, duke publikuar video të avionëve që uleshin dhe ngarkoheshin me drogë e niseshin drejt Italisë, Rama dhe zyrtarët e tij i cilësonin si “mushkonja”. Të gjitha ngarkesat e avionëve me drogë bëheshin me dijeninë e zyrtarëve të lartë, ndaj dhe nuk bllokoheshin nga qeveria.

R.POLISI

Artikulli paraprakDroga në Vilun, një tjetër i arrestuar
Artikulli tjetërNga Banka e Lindës, tek koncesionet e naftës dhe shëndetësisë, të gjitha në parajsat fiskale