Pesë nxënës në klasën e pestë të një shkollë 9-vjeçare në Durrës janë paraqitur në spital me shenja helmimi. Informacionet e para tregojnë se nxënësit, pasi kanë konsumuar disa produkte ushqimore në shkollën “Eftali Koçi” kanë pasur shqetësime dhe të vjella. Nxënësit janë të moshës 11-12 vjeç dhe pasi kanë marrë mjekimin në spital janë larguar. Ministria e Arsimit njoftoi se ngjarja ishte shënuar dje dhe se nxënësit kishin blerë produkte tek ambulantët gjatë pushimit të gjatë.
“Dje, nxënësit kanë blerë produkte tek ambulantët gjatë pushimit të gjatë në kangjellat e shkollës dhe pasi i kanë konsumuar nuk janë ndier mirë. Të 5 fëmijët janë dërguar për kontroll në spital nga drejtori i shkollës. U njoftua ISHP për ngjarjen dhe Policia Bashkiake për largimin e ambulantëve. Sot, fëmijët zhvilluan mësimin normalisht në shkollën e tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Për rastin është njoftuar policia, e cila ka nisur hetimet. Ndërkohë edhe AKU-ja ka ngritur një grup pune me specialist, të cilët kanë marrë mostra, te kioskat, ku shiten byrekë dhe ushqime të shpejta, për të zbuluar shkakun e helmimit të nxënësve.