Nga Erion DASHO
Gjatë pandemisë, një nga shfaqjet e pështira të patetizmit të kryeministrit Rama dhe ministres Manastirliu ishte shpallja e mjekëve dhe infermierëve “heronj”. Disa prej tyre e morrën me zell këtë term dhe u vetëpompuan aq fort sa u bënë qesharakë përballë kolegëve dhe publikut.
Ndërkohë, opinioni i shëndoshë u bëri shpesh thirrje atyre për t’u rikthyer me këmbë në tokë madje edhe parashikoi se “heronjtë” do të trajtoheshin sipas parimit të fabulës së lashtë të lumit dhe kalit.
Personalisht kam patur mjaft statuse ku i kam bërë thirrje Ramës e Manastirliut të hiqnin dorë nga hopokrizia, nga lulet e çokollatat, dhe të mendonin për t’i dhënë bluzave të bardha jo thjesht një cilësim të pamerituar, por statusin që atyre aq shumë u mungon, kushtet e punës, zhvillimin e karrierës profesionale, pagën dinjitoze dhe, mbi të gjitha, pushimin e sulmeve të paprincipta që mundohen të paraqisin mjekët dhe infermierët si përfaqësuesit e gjithë të këqijave të shoqërisë shqiptare të tranzicionit.
Sigurisht që thirrjet e mia dhe të shumë kolegëve ranë në veshë të shurdhër. Me kalimin e muajve u bë e qartë se glorifikimi i mjekëve dhe infermierëve ishte thjesht pjesë e një skenari trushpëlarje jo vetëm për ta, por për publikun. Ndërsa gjyshi, babai dhe vëllai i qytetarit shqiptar vdiste në shtëpi nga mungesa e kujdesit shëndetësor, Rama dhe Manastirliu në vend që t’u siguronin teste dhe oksigjen, u tregonin përralla me heronj!
***
Sot, epidemisë në Shqipëri i erdhi fundi, zgjedhjet u fituan dhe “heronjtë” u bënë të panevojshëm. Infermierët të cilët dikur u shfrytëzuan paturpësisht deri edhe për të “ndihmuar” Italinë fqinje, tashmë po hidhen në rrugë.
“Heronjtë” me kontratë po zbohen nga sistemi shëndetësor duke treguar edhe njëherë poshtërsinë dhe teatralitetin e kësaj klase mashtruese që na qeveris.
Paga e “luftës” të cilën e morën vetëm infermierët e “transheve” dhe që u kthye në mollë sherri pasi i diferencoi ata nga kolegët, tashmë është një kujtim i largët. Infermierët ju rikthyen pagave qesharake të “paraluftës”.
Rezultati?!
“Heronjtë” do t’u shtohen radhëve të gjata të emigrantëve! Vetëm në Gjermani ka më tepër se 3 mijë infermierë shqiptarë të emigruar në 5-6 vitet e fundit.
Kokëulur si aktorët e një teatri apo cirku veror, “heronjtë” e keqpërdorur të “luftës” së Ramës me mullinjtë e erës do të marrin plaçkat për t’u larguar në kërkim të dinjitetit.
Shqiptarët?!
Kur t’u bjerë halli i radhës, do të kërkojnë sërish “heronj” me kontratë…