Heronjtë kthehen në shtëpi!

Heronjtë kuqezi u kthyen në shtëpi, mes njerëzve të tyre, në atdheun e tyre pas përfaqësimit historik në Kampionatin Europian. Rreth orës 15:40, avioni me në bord kombëtaren shqiptare të futbollit, preku pistën e Aeroportit të Rinasit. Kombëtarja bashkë me stafin dhe delegacionin e saj u ngjit në një autobus të hapur për t’ju drejtuar kryeqytetit, ku qindra njerëz ishin grumbulluar në rrugët e tij për të përshëndetur skuadrën kuqezi. “Kuqezinjtë” u përshëndetën nga qindra tifozë të mbledhur në bulevard.
Ekipi kombëtar iu drejtua sheshit “Nënë Tereza” dhe u pritën në shesh me brohoritje dhe falënderime nga qindra tifozë të mbledhur aty. Festa nisi me këngë patriotike, për të vijuar më tej me Himnin e Flamurit të kënduar nga trajneri Gianni de Biasi, që u pa edhe në Francë teksa e këndonte atë.
Presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armando Duka, shprehu besim për të ardhmen e kombëtares. “Është një ditë e veçantë, ditë historike dhe shumë e bukur, e kthimit nga një aktivitetet që e kishim ëndërruar prej kohësh. Doja të falënderoja të gjitha ata që e kanë ëndërruar. Çuna, ju falënderoj nga thellësia e zemrës, që na bëtë mua dhe gjithë shqiptarët, pjesë të këtyre emocioneve të paharruara. Me punën dhe sakrificën ndoshta meritonit më shumë. Duhet të jeni me kokën lart dhe ne do të jemi me sytë nga ju, për momente të tjera historike. I kemi të gjitha mundësitë që të kemi histori të mëdha suksesi”, u shpreh Duka.
Trajneri Gianni de Biasi vlerësoi skuadrën dhe tifozët për paraqitjen, ndërsa konfirmoi synimin për të vazhduar ëndrrën me skuadrën kuqezi. “Mendoj se pas këtij Europiani, bota sportive dhe jo vetëm, po na merr si shembull dhe na shohin si një grup përmbi individët. Gjëja më e rëndësishme është se këta djem gjetën hovin mendor, duke kaluar nga koncepti i individit te koncepti i grupit. Kjo ishte edhe ajo tek e cila kam ngulmuar, porosia e Skënderbeut, që të qëndrojmë të bashkuar. Tifozët na dhanë forcë, ata i fituan të tre ndeshjet e tyre në stadiumet e Francës. Ishte një mrekulli sportive, por edhe një mrekulli humanizmi. Jam trajneri i vjetër i Shqipërisë, që dëshiroj të vazhdoj të qëndrojë këtu për të vazhduar mrekullinë”, u shpreh De Biasi.

Exit mobile version