“Heshtja e grupimit të Berishës për buxhetin, e turpshme”/ Sidi Hasanaj: Edi Rama i qetë në ‘dhjamosjen’ e oligarkëve

Nga Sidi Hasanaj

Opozita heshti me turp gjatë diskutimeve për Buxhetin e vitit 2025, duke shmangur debatet për thelbin , ekonominë dhe shpenzimet publike, ndërsa u përfshi në folklorizëm dhe tema të parëndësishme. U fol për flokët e mbjellura të Shalsit, nuk mungoi dhe fjalimi i deputetit Korreshi ku u ankua për mungesën e “nuseve” në fshatrat e Myzeqesë dhe si pasojë uljen e martesave dhe… lopëve.

Ndërkohë, qeveria Rama zërin kryesor në Buxhetin e 2025 ka vendosur tja japë Ministrisë së Infrastrukturës ku ka alokuar 74 miliardë lekë, ku 33.4 miliardë lekë janë destinuar për transportin rrugor.

Në fokus qëndrojnë disa projekte rrugore me kosto të jashtëzakonshme, për të cilat opozita dhe Sali Berisha hesht turpërisht:

1. Rruga e Arbrit: Nga një planifikim fillestar prej 70 milionë eurosh, kostoja ka arritur në 350 milionë euro, me një rritje prej 500%. Fondet e vitit 2025 shtojnë koston totale në rreth 383 milionë euro.

Dje Berisha heshti për këto fonde shtesë mbi shtesa.

2. Milot-Morinë: Me një kosto prej 1 miliard eurosh, qeveria ka shtuar 720 milionë lekë të tjera në buxhetin e 2025, me aksin e “abuzimit të çmendur” Milot-Balldren, 17.2 kilometra i gjatë, ka kushtuar 213.6 milionë euro, me një mesatare prej 12.42 milionë euro për kilometër.

Përsëri Berisha heshti edhe për këto fonde (720milionë lek) shtesë.

3. Thumanë-Kashar: Kosto totale prej 244 milionë eurosh për 21 kilometra, ose 12 milionë euro për kilometër. Megjithëse rruga është me pagesë për tu aksesuar, për arsye mirëmbajtjeje, qeveria ka parashikuar 5.6 milionë euro të tjera për mbështetje shtetërore në vitin 2025.

5.6milionë € që as nuk u përmendën nga opozita!

Këto projekte paraqesin shembuj të qartë të mbifaturimit dhe mungesës së transparencës, që rëndojnë buxhetin publik. Megjithatë, asnjë fjalë nuk u ngrit nga opozita për këtë shpërdorim të parasë së qytetarëve shqiptarë.

Pse ky bashkëpunim heshtjeje mes qeverisë dhe opozitës?
Përse Sali Berisha nuk përmend Oligarkët e këtyre aferave?

Ata i detyrohen shqiptarëve një përgjigje për këtë mosveprim të turpshëm dje!
Ndërkohë Edi Rama vazhdon i qetë në përpirjen e taksave të shqiptarëve, për dhjamosjen e oligarkëve!

Exit mobile version