Parti Demokratike denoncoi dje nisjen e prishjes së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” për ndërtimin e ri të stadiumit “Arena Kombëtare”, i cili do të ketë dhe një kullë 24 kate. Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji dënoi nisjen e punimeve për kullën 24-katëshe pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Salianji u shpreh se Partia Demokratike mbështet ndërtimin e një stadiumi për tifozët shqiptarë, por kurrsesi këtë projekt korruptiv që ka nisur të ndërtohet pa transparencë dhe në shkelje të hapur të ligjit. Ai paralajmëroi Kryeministrin Rama për këtë projekt korruptiv e antiligjor dhe i bëri thirrje Prokurorisë të hapë menjëherë hetimet.
“Që në fillim dua të them që Partia Demokratike është për ndërtimin e një stadiumi siç e do publiku, siç e duan tifozët, siç e do shoqëria civile, siç e duan analistët dhe gazetarët më të njohur në këtë vend, një stadium që të jetë në shërbim të tifozëve, në shërbim të publikut dhe shërbim të qytetarëve. Jemi këtu edhe një herë tjetër për t’i bërë thirrje Prokurorisë për të nisur hetimin për një aferë korruptive, po për t’i bërë thirrje edhe Kryeministrit për të kthyer përgjigjet që nuk i ka kthyer Grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Sot Edi Rama ka nisur shkatërrimin e stadiumit kombëtar me prepotencë, me arrogancë, me forcën e pushtetit që ka sot, por me përgjegjësinë që do të mbajë para ligjit nesër. Drejtësia vonon, por nuk harron. Ky është postulat që Edi Rama duhet ta dijë mirë dhe duhet ta njohë. Nuk mundet që stadiumin e vetëm kombëtar të këtij vendi pa transparencë, pa tender, pa dhënë asnjë shpjegim një kompanie, e cila nuk dihet se nga ka ardhur, një kompanie për të cilën nuk dihet se cilat janë procedurat që janë ndjekur për të përzgjedhur firmën fituese për ndërtimin e këtij projekti të stadiumit kombëtar, por që në fakt nuk është stadium, por një kullë 24 kate, kulla më e lartë në Tiranë, e cila nuk mund të jetë as koncesion, as partneritet publik-privat. Sepse kjo kullë, nuk i kthehet publikut nesër, kjo kullë i mbetet përjetësisht firmës, e cila do ta ndërtojë”, tha Salianji.
Sekretari për Aksionin Qytetar shtroi edhe disa pyetje në lidhje me këtë projekt që Kryeministri ende nuk u është përgjigjur, ndërsa shtoi se Partia Demokratike do ta ndjekë deri në fund këtë rast korruptiv deri në përgjigjen e plotë ligjore.
“I kemi kërkuar kopje të procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë aksionere, e cila po merr dhe po ndërton sot kullën pas fushe. A ka mbajtur qëndrim për 25 për qindëshin e aksioneve që ka shteti dhe cili është qëndrimi që ka mbajtur qeveria si aksionere në këtë projekt? A ka kopje të kontratës së partneritetit publik-privat për realizimin e këtij projekti të miratuar nga shoqëria anonime ku shteti zotëron 25 për qind dhe përse edhe pas kërkesës së bërë nga kryetari i Grupit parlamentar të PD edhe sot Edi Rama nuk jep përgjigje? A janë ndjekur procedurat për dhënien e lejes zhvillimore siç e kërkon ligji? A është marrë leje nga Instituti i Monumenteve dhe nga Ministria e Kulturës duke qenë e qartë në ligj që monumentet e kulturës nuk mund të preken, nuk mund të shkatërrohen dhe nuk mund të ndërtohet dhe nuk mund të zhvillohet pa marrë lejen e specialistëve. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme duhet të nisë hetimin për shpërdorim detyre dhe për përvetësim të pronës publike ndaj Edi Ramës dhe vëllait të tij dhe për këto arsye PD do të bëjë kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për t’i shkuar deri në fund hetimit të kësaj çështjeje”, tha Salianji.
Në mënyrë të fshehtë dhe larg vëmendjes së mediave, Rama ka miratuar në fund të muajit prill vendimin për ndërtimin e stadiumit të ri sipas projektit klientelist. Ajo çka e thellon edhe më tej skandalin është fakti se nga 19 kate që parashikohej të ndërtohej kulla brenda projektit të stadiumit ajo do të jetë me 24 kate. Vendimi është marrë një muaj më parë, ndërsa Rama ka urdhëruar moszbardhjen e tij, duke fshehur kështu dokumentacionin e projektit. Opozita prej kohësh ka kundërshtuar këtë projekt, ndërsa i ka kërkuar Ramës të bëjë transparencën e plotë të vendimmarrjes, por deri tani qeveria ka heshtur. Këshilli Kombëtar i Territorit, me vendim Nr. 01, datë 29.04.2016 për “Miratimin e lejes së zhvillimit në objektin ‘Kompleksi i ri i stadiumit kombëtar, Tirana’”, ka dhënë dritën jeshile për zhvillimin e këtij objekti.
Në këtë mbledhje, KKT-ja vendosi: Së pari, miratimin e lejes së ndërtimit për stadiumin kombëtar. Së dyti, harta e planvendosjes së strukturave, e cila i është bashkëlidhur këtij vendimi. Së treti, procedurat administrative ligjore për objektin do të vijohen nga Bashkia e Tiranës. Së katërti, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të ngarkohet për zbatimin e vendimit. Dhe së fundmi, por vetëm për kohëzgjatje të vendimit, është që ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas miratimit të tij. Stadiumi, i cili do të jetë i kategorisë së pestë, më të lartë, për nga parametrat cilësorë që do të ofrojë si stadium, por i katërt për nga kategoria për shkak të numrit të spektatorëve, do të ketë gjithashtu edhe një kullë në strukturë.
Më parë u përfol se lartësia e saj do të ishte 19 kate, mirëpo në vendim është parashikuar se lartësia e saj do të jetë 24 kate mbi tokë. Duke qenë se kërkohej partneriteti publik-privat për një ndërtim që do të ngrihet mbi një pronë shtetërore, është dashur vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit, për të marrë vendimin përfundimtar për stadiumin ekzistues, si dhe për t’i hapur rrugë ligjore nisjes së punimeve për impiantin e ri. Pas dhënies së lejes së ndërtimit nga KKT-ja, tashmë mbeten disa procedura “dytësore” për t’u kryer në Bashkinë e Tiranës nga “Shoqëria Kuq e Zi”, për të nisur fillimisht me shembjen e stadiumit ekzistues dhe më pas, për të nisur nga puna për ngritjen e impiantit të ri. Partia Demokratike e ka denoncuar këtë rast si aferë korruptive, si një projekt që ka prioritet klientelën, qendrën tregtare, hapësirat e biznesit dhe jo sportin e qytetarët. Sipas planit të Edi Ramës, hapësirat për sportdashësit zvogëlohen, ndërsa zgjerohen hapësirat fitimprurëse të klientit.