Hetim rrugës së Lumit në Vlorë, pezullohen punimet 6 muaj pasi nisën

Puna për rehabilitimin e Lumit të Vlorës është pezulluar 6 muaj pas nisjes. Kompania bullgare që fitoi dhe tenderin për lotin e parë dhe nënkontraktorët shqiptarë janë nën hetim nga Prokuroria e Vlorës për shfrytëzim të paligjshëm të basenit të lumit Vjosë. Bëhet e ditur se, skandali i shfrytëzimit pa kriter të basenit të lumit të Shushicës, ka vënë në lëvizje agjencitë ligjzbatuese në Vlorë.
“Agjencitë ligjzbatuese, bazuar mbi faktet kanë nisur një procedim penal ndaj firmës Avtomagistrali – Tcherno more dhe nënkontraktorëve shqiptarë. Aktualisht të gjitha mjetet e firmës ‘Arifaj’ janë tërhequr nga terreni dhe puna është pezulluar”.
Në të gjithë gjatësinë e rrugës nuk punohet, pasi zhavorri me të cilën shtrohet baza e lotit të parë, nxirrej në shkelje të ligjit, siç konfirmon kjo shkresë zyrtare e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Brenda lumit, këtë të hënë nuk ka asnjë fadromë, ndryshe nga pak kohë më parë, ku ekskavatorët e firmës ‘Arifaj’ SHPK, nënkontraktorë për lotin e parë, gërmonin deri afër Urës së Drashovicës.

Këto pamje janë regjistruar për disa ditë më radhë në fund të vitit 2017 dhe fillim vitin 2018, tërhoqën vëmendjen e agjencive ligjzbatuese në Vlorë, të cilët pas verifikimeve të fakteve kanë regjistruar procedimin penal.
Për rrugën u zhvillua një tender ndërkombëtar, por zbatuesit e projektit me vlerë 2,002, 817,718.47 lekë janë vetëm shqiptarë, që duket se zgjodhën rrugën më të shkurtër për të ndërtuar një vepër të rëndësishme infrastrukturore për mijëra banorë të Lumit të Vlorës.
Segmenti i parë i këtij aksi është nga fshati Babicë deri në fshatin Gjormë me gjatësi 23 km. Edhe pse punimet kanë ecur me ritme të mira , ku 70% ka përfunduar, kjo rrugë vijon të jetë problem për banorët e këtyre fshatrave. Rruga ka mbaruar me mbushje në të gjithë segmentin prej 23 km, por nuk është asfaltuar. Sipas banorëve një shqetësim ngelen gropat si dhe pluhuri, i cili të shoqëron në të gjithë këtë gjurmën.
Ndërkohë administratori i punimeve thotë se punimet janë brenda afatit. “Për momentin puna po vijon. Kanë përfunduar afro 80% e veprave të artit. Më pas do të vijohet me shtrsat e fundit”, thotë Isa Ukperaj, administratori i punimeve. Pas segmentit të parë pritet tenderimi i pjesës tjetër të këtij aksi rrugor nga fshati Gjormë deri në Qeparo që lidhet me detin.

Exit mobile version