Hetimet ndaj Ahmetajt| Prokurorët marrin në pyetje familjarë, biznesmenë dhe personazhe të medias

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po vazhdon me hetimet ndaj ish ministrit Arben Ahmetaj duke thirrur për të dëshmuar persona të lidhur me çështjen, familjarë dhe biznesmenë. Mësohet se pranë ambienteve të SPAK, janë thirrur për marrë në pyetje dhe personazhe të botës së medias.

Ende nuk dihet se për cilët personazhe bëhet fjalë, por mësohet se mes personave që i janë marrë dëshmitë janë biznesmenët që kanë ndërtuar vilat në Hamallaj, por edhe Palasë.

Më 8 mars 2023, oficerët e BKH kontrolluan banesën e Erjola Hoxhës, partneres së Ahmetajt në zonën e Gjirit të Lalzit si dhe sekuestruan telefonin e saj.

Ahmetaj dhe Hoxha apeluan në GJKKO duke e konsideruar kontrollin të paligjshëm, por kërkesa u rrëzua. Mbrojtja pretendoi se pavarësisht se shtëpia është në emër të Hoxhës, atje jeton edhe Ahmetaj. Ky i fundit është deputet dhe në cilësinë e një ligjvënësi, fillimisht duhet të ishte pyetur Kuvendi për të bërë kontroll në shtëpi.

Por ky fakt sipas tyre u anashkalua ndërsa më tej parashtruan se bashkëjetueses së ish-ministrit nuk iu garantua e drejta për të patur një person të besuar pranë para se të niste kontrolli, ndërsa edhe oficerët kanë bërë pyetje provokuese për sendet që kishin në banesë. Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për veprat penale: “Korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”. SPAK ka sekuestruar disa vila që janë pronë e ish-gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.

Artikulli paraprakKLP promovon anëtarët e tij, ligji ndalon lëvizjet edhe 3 vite pas mbarimit të mandatit
Artikulli tjetërBerisha del më shumë se Rama në televizor? Akoma më mirë për Ramën