Hetimet ndaj Habilajve nisën pas zëvendësimit të Tahirit nga Xhafa

Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se, hetimet ndaj grupit kriminal të Habilajve kanë nisur një muaj pasi Tahiri është zëvendësuar nga Rama në Ministrinë e Brendshme nga Fatmir Xhafa. Procedimi penal ndaj Habilajve është regjistruar me 29 prill 2017. Ka patur një përplasje të fortë mes grupeve kriminale në qeveri. Tahiri ishte koka e bandës së Habilajve, ndërsa Xhafa është në anën e të vëllait të tij, Agron Xhafa, i cili është një grup rival me Habilajt në Vlorë për kontrollin e trafikut të drogës.
Mes Habilajve dhe grupit të Xhafës ka pasur një përplasje të fortë në fillim të mandatit qeverisës të PS dhe kjo dëshmohet edhe nga përgjimet e Antimafias italiane, ku Habilajt takohen në ministri me Tahirin dhe marrin udhëzimet se si duhet të sillen në lidhje me grupin e Xhafës. Edhe komunikimi mes Tahirit dhe Xhafës është jo vetëm inekzistent, por në pozita konflikti. I pyetur nëse kishte komunikuar me ministrin Xhafa, Tahiri u përgjigj ftohtë dhe prerë një javë më parë; “Jo nuk kam asnjë kontakt”.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se: “Në datë 29 prill 2017 Prokuroria regjistroi procedimin penal me nr.164 për veprën penale të trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim, mbi bazën e informacioneve referuese të shërbimeve të Policisë Gjyqësore të seksionit kundër narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Sipas këtyre informacioneve rezulton se, Nezar Seitaj, Moisi Habilaj, Florjan Habilaj dhe shtetasi M.M. ushtronin aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”.

A u takua Habilaj me Tahirin në ministri

Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë sekuestruar në fundjavë librin e hyrje-daljeve në Ministrinë e Brendshme. Bëhet e ditur se, ky veprim hetimor është kryer, duke marrë shtysë nga një bisedë e përgjuar mes dy vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj, ku ky i fundit i thotë se kishte shkuar në Tiranë dhe kishte takuar shefin e madh.
Prokuroria dyshon se, “shefi i madh” për të cilin flasin vëllezërit Habilaj në përgjimet e Antimafias së Katanias është pikërisht kushëriri i tyre, me të cilin kishte lidhje të ngushta: i kishin blerë makinën, ia kishin dhënë disa herë kur e kishte kërkuar përsëri, e mbanin me emrin e tij dhe targat që kishte përdorur ministri i Brendshëm, përdornin emrin e tij kur kalonin në pikat kuftare dhe nëpër postbolloqe…
Provat që kërkohen, thotë një burim nga organi i akuzës, janë mbi një takim që mund të jetë zhvilluar mes ministrit të Brendshëm dhe Florian Habilajt në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë”. Edhe në përgjime Florian e Moisi Habilaj përmendin lojërat e fatit, që ishin qëllimi i këtij operacioni.
Prokuroria dyshon se, takimi mund të jetë zhvilluar në zyrën e ministrit. Për këtë arsye, ajo ka sekuestruar në fundjavë librin e hyrje-daljeve pranë Ministrisë së Brendshme. Sipas rregullave, çdo person që hyn në këtë dikaster, duhet të lërë në hyrje kartën e identitetit, ndërsa emri i shënohet në regjistër.
Prokurorët shpresojnë tek ndonjë pakujdesi e Tahirit. Ai kishte pritur në zyrën e tij edhe një person që i kishte rrëfyer se ishte vrasës me pagesë, si Durim Bami. Dhe takimi me Florian Habilajn, i njohur si “Lolo” nuk përjashtohet që të ketë ndodhur po në zyrën e ministrit të Brendshëm.

Përgjimet, ja çfarë thonë vëllezërit Habilaj për shefin e madh

Florian Habilaj: Më kërkoi shefi i madh në Tiranë.
Moisi Habilaj: Çfarë donte shefi?
Florian Habilaj: Asgjë, për situatën.
Moisi Habilaj: Ah … a i fole me ti.
Florian Habilaj: Po, më priti në orën 11:30, edhe taksinë ma pagoi.
Moisi Habilaj: Çfarë tha.
Florian Habilaj: Më tha, ‘kush janë këto … çfarë kanë … si janë punët’ … e unë i thashë ‘kështu e kështu’.
Moisi Habilaj: Atëherë…
Florian Habilaj: Më tha ‘mos u shqetëso, mos u mërzitni … është çështje orësh.
Moisi Habilaj: Ah, mirë, ti duhej t’i thoje që ne nuk kemi faj, këtë duhej t’i thoje.
Florian Habilaj: Por unë i thashë që ne … për asgjë. E ai më tha që ‘ata e kanë bërë qëllimisht që unë t’i merrja në telefon’.
Moisi Habilaj: Edhe ne e kemi kuptuar. Ja pse nuk e shqetësuam (shefin).
Florian Habilaj: Edhe ne e kemi mësuar … dhe më tha…I mora në telefon dhe u thashë: ‘Nuk duhet të përfshiheni në lojëra, në çështje të fatit’.

Prokuroria, verifikim numrave të telefonave të Habilajve

Prokuroria e Krimeve të Rënda që po heton dosjen “Habilaj”, ku i përfshirë është edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, po verifikon të gjithë numrat e telefonave të Habilajve. Bëhet e ditur se, në fokus të punës së grupit hetimor janë numrat e telefonit që kanë qenë në përdorim të Moisi, Artan dhe Florian Habilaj. Është kërkuar nga kompanitë e telefonisë celulare tabulatet dhe qelizat e tyre, për të përcaktuar vendin ku ata kanë qenë në kohë të ndryshme.
Oficerët janë të fokusuar tek një përgjim që është kryer ndaj Florian Habilajt, i njohur ndryshe si ‘Lolo’. Sipas përgjimit ai ishte nisur në Tiranë për të takuar shefin e madh. Pikërisht mbi këtë përgjim, hetuesit kërkojnë të zbardhin lëvizjet që ka kryer Florian Habilaj atë ditë në Tiranë. Ndërsa në fundjavë, prokurorja e kësaj çështje Elisabeta Imeraj ka qenë në Itali për llogari të kësaj çështjeje.
Por Krimet e Rënda nuk japin asnjë detaj se çfarë është diskutuar me Prokurorinë e Katanias, e cila përgjoi për katër vite grupin e Habiljave. Grupi hetimor ka kërkuar të sekuestrojë nga Ministria e Brendshme librin e hyrje-daljeve në këtë institucion në kohën, kur në krye të tij ka qenë Saimir Tahiri.

Artikulli paraprakPërgjimet italiane, mashtrimi i Tahirit! Shoferi i kamionit quhet Melo, jo Saimir
Artikulli tjetërA do të arrestohet Zonja-Narcos?