Hetimet për familjen “Veliaj”/ Reagon SPAK: Ka të dhëna për 4 vepra penale

SPAK bën me dije se ekzistojnë të dhëna konkrete për të paktën 4 vepra penale në lidhje me hetimin pasuror ndaj familjes “Veliaj”.

Reagimi për mediat vjen një ditë pasi kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u mor në pyetje për 5 orë nga prokurorët e posaçëm.

Në reagimin për mediat thuhet se ka dyshime për: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendor”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,  “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

REAGIMI 
Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojme: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.
Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.
Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 

Artikulli paraprakPresidenti gjerman i hap rrugën zgjedhjeve të parakohshme, shpërndan Parlamentin! Scholz do të drejtojë qeverinë e përkohshme
Artikulli tjetërErion Veliaj në SPAK, nga “vemja” e G99 dhe Mjaft në “kolegu” i prokurorëve specialë