Dy prej anëtarëve kryesorë të fushatës presidenciale të zotit Donald Trump u takuan të martën me ekspertët e Kongresit që po hetojnë rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.
Dhëndri dhe këshilltari i Presidentit Trump, Jared Kushner, shkoi përsëri në Kongres për takime private, këtë herë për një bisedë me dyer të mbyllura me ligjvënësit e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin.
Ndërkaq, ish-menaxheri i fushatës së zotit Trump, Paul Manafort u takua me stafin e Komisionit të Senatit për Zbulimin. Zëdhënësi i tij, Jason Maloni tha se zoti Manafort “iu përgjigj plotësisht pyetjeve të tyre”.
Sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, takimi i zotit Manafort me stafin e komisionit u përqendrua te një takim i qershorit 2016 me një avokate ruse në Kullën Trump të Nju Jorkut, sipas dy personave të brendshëm, të cilët nuk pranuan të idenfikohen.
Zoti Manafort gjithashtu dorëzoi shënimet e mbajtura prej tij në kohën e takimit, tha njëri prej personave. Personi tjetër tha se zoti Manafort ka rënë dakord për takime shtesë me stafin e komisionit të Senatit mbi tema të tjera. Takimet e tjera ende nuk janë planifikuar.
Si Manafort ashtu edhe Kushner po përballen me pyetje të shumta rreth takimit në Kullën Trump, i cili është përshkruar në e-mail-et e shkëmbyera mes Donald Trump Jr., dhe personave të tjerë si pjesë e një përpjekjeje të qeverisë ruse për të ndihmuar fushatën presidenciale të zotit Trump.
Të hënën, zoti Kushner iu përgjigj pyetjeve të stafit në Komisionin e Senatit për Zbulimin, ku ai pranoi se kishte patur katër takime me rusët gjatë dhe pas fushatës së zotit Trump për Shtëpinë e Bardhë. Ai nguli këmbë se nuk kishte asgjë për të fshehur.
Ai doli përpara mediave duke buzëqeshur dhe deklaroi publikisht: “Të gjitha veprimet e mia kanë qenë të justifikuara”.
Dalja e një pjesëtari të rrethit të ngushtë të presidentit si Jared Kushner përpara një komisioni në Kongres, e fut në një fazë të re procesin e hetimeve për lidhjet me Rusinë.
Jared Kushner, që mund të cilësohet si krahu i djathtë i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, pranoi të ketë zhvilluar disa takime me zyrtarë rusë dhe të tjerë të lidhur me Moskën, por ai këmbëngul se gjithçka ishte e ligjshme.
“Nuk kam bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë, as nuk di që dikush tjetër gjatë fushatës ta ketë bërë këtë. Nuk kam patur asnjë kontakt të papërshtashëm”, tha Jared Kushner, këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërsa Presidenti Trump sulmoi edhe një herë hetimet për lidhjet me Rusisë nëpërmjet një mesazhi në Twitter, zoti Kushner ofroi një kritikë më të kujdesshme ndaj asaj që Shtëpia e Bardhë e sheh si përpjekje të gjerë për të delegjitimuar fitoren e Donald Trumpit.
“Donald Trumpi kishte një mesazh më të mirë dhe zhvilloi një fushatë më të zgjuar, ndaj dhe fitoi. Të mendosh ndryshe, do të thotë të tallesh me ata që votuan për të”.
Përpara deklaratës në Shtëpinë e Bardhë, Jared Kushner ishte në Kongres për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit të Zbulimit në Senat, një takim që zgjati më shumë se tre orë.
Përveç ish-menaxherit të fushatës, Paul Manafort, pritet që edhe djali i presidentit, Donald Trump Jr., të merret në pyetje nga një tjetër komision i Senatit. Ata dhe zoti Kushner u takuan qershorin e kaluar me një avokate ruse dhe të tjerë persona të lidhur me Moskën. Një takim që u konfimua nga e-mail-et e bëra publike nga vetë Trump Jr., dhe nga i cili prisnin të siguronin materiale që do të dëmtonin Hillary Clintonin.
Por nëpërmjet një deklarate që i parapriu dëshmisë së tij në Senat, zoti Kushner tha se mbërriti vonë në takim, për të cilin siç shkruante, nuk dinte asgjë dhe ku dëgjoi të flitet vetëm për çështje adoptimi të fëmijëve rusë.
“Ishte e qartë se ai ishte instruktuar nga avokatët e tij. Ishte gjithashtu e qartë që ai po tregohej shumë i kujdesshëm për të folur vetëm për veten dhe të mos pohonte atë që dikush tjetër në ekipin Trump, përfshirë edhe kunatin e tij, bënë ose jo”, thotë Elaine Kamarck e Institutit “Brookings”.
Por disa ligjvënës duan të dinë më shumë. Senatori demokrat Ron Wyden tha se deklarata e Jared Kushnerit ngriti më shumë pyetje sesa dha përgjigje dhe se nuk duhet supozuar se ai po thotë gjithë të vërtetën. Senatori Wyden kërkon që zoti Kushner të zhvillojë një dëshmi nën betim dhe në një seancë publike përpara Komisionit të Zbulimit.