Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në zyrat e kompanisë “Hill Internacional HV” për të zbatuar urdhrin e prokurorit për sekuestrimin e dokumenteve, në kuadër të një hetimit të SPAK për disa vepra penale, përfshirë dhe korrupsionin.
Bashkimi i operatorëve ekonomikë mes kompanisë “Hill Internacional HV” dhe “Net Group” e biznesmenit të arrestuar Valter Begaj kanë fituar tenderin pranë Ministrisë së Infrastrukturës së drejtuar nga Belinda Balluku për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Hetuesit kanë sekuestruar kontratën e bashkimit të këtyre dy kompanive dhe dokumentet që janë dorëzuar kur kanë marrë pjesë në tender dhe janë shpallur më pas fituese. Ka gjasë që hetuesit të rikthehen në zyrat e kompanisë me qëllim sekuestrimin e të tjera dokumenteve që mund t’i shërbejnë hetimit.
SPAK ka dyshime se këto dy kompani të bashkuara në një të vetme, për të marrë pjesë në tender janë favorizuar, kjo për faktin se Valter Begaj ka qenë ish-ortak me Evis Berberin ishkreun e ARRSH që ndodhet në qeli nën dyshimet për korrupsion e pastrim parash. Berberi një prej njerëzve më të besuar të Ballukut, akuzohet se favorizonte ish-ortakun e tij në tendera dhe kontrollonte në mënyrë indirekte një kompaninë DAAM sh.p.k. SPAK po vijon hetimet lidhur me tenderat për tunelin e Llogarasë.
PROJEKTI
Në dhjetor 2021, Ministria e Infrastrukturës do të shpallte garën për tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në ndërtimin e Tunelit të Llogarasë me fond limit 196 milionë lekë ose gati 2 milionë euro. Në tender do të merrte pjesë bashkimi i kompanive “Staki” eltidi dhe “Gjeokonsult & CO”, të cilët do të garonin me bashkimin e kompanive “Hill International” dhe “NetGroup”. Dyshimet e para për favorizim fituesi u shfaqën kur kompanitë “Staki” eltidi dhe “Gjeokonsult&CO” u skualifikuan, pasi nuk plotësonin një nga kushtet e kërkuara në tender, duke i lënë rrugën e lirë “Hill Internacional N.V” dhe “Net-Group”, të cilat në prill 2022 do të shpalleshin fitues me ofertë 194 milionë lekë ose rreth 2 milionë euro.
Zv Kryeministrja Belinda Balluku në parlament do të shprehet: “Dua të falënderoj të gjithë supervizorët, kompaninë “Hill”, e cila punon këtu prej kohësh dhe siç e kemi thënë, këtu kemi skuadrat e kompanive turke, skuadrat e kompanive shqiptare dhe supervizionin grek, të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyer. Duket si një forcë ballkanike që po ndërton një tunel që quhet ‘Long Range’, pra këto 6 km dhe ndërkohë dua të falënderoj të gjithë ekipet e ARSH-së që kanë qenë gjithë kohën këtu në mbështetje dhe kanë mbikëqyrur punimet për të arritur në këtë moment”.
Në deklaratën e saj, në fund të janarit të vitit të kaluar, zv.kryeministrja Belinda Balluku, duke përmendur “Hill Internnacional” për supervizimin, do të anashkalonte kompaninë “Net-Grup” shpk, e cila është në pronësi të Valter Begaj, ish-ortak i ishdrejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberit, në kompaninë “DAAM”. Natën e 13 marsit 2024, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të bastisnin banesat e Evis Berberit dhe Valter Begajt, duke i arrestuar të dy nën akuzën për korrupsion dhe pastrim parash. Ky i fundit, biznesmen dhe ortak me Evis Berberin, është personi kyç që është nën akuzë nga SPAK, pasi ka pastruar paratë e përfituara përmes tenderave të paligjshëm nga ish-kreu i ARRSH-së. Njohjet mes Valter Begajt dhe Evis Berberit janë të hershme, ato datojnë përpara se ish-drejtori i ARRSH-së të ngjiste shkallët në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikes. Me emërimin në krye të ARRSHsë, Evis Berberi do t’i shiste aksionet e kompanisë “DAAM” te Valter Begaj, për 1.7 milionë euro, ndërsa vet i kishte blerë për 800 euro. Por Valter Begaj ishte pronar edhe i kompanisë NETGROUP (ish “B-VAAL ENXHENIERING”), e cila rezulton dhe kompania që ka fituar tendera në mënyrë të paligjshme nga Evis Berberi. Këto të ardhura transferoheshin te kompania tjetër e Begajt, kompania DAAM, e cila sipas Prokurorisë së Posaçme vijonte që të kontrollohej po nga Berberi, pavarësisht shitjes fiktive që ai i kishte bërë aksioneve.
KOMPANIA
Kompania ‘Net-grup’ në këtë periudhë ka marrë një numër të lartë tenderash, ndërsa SPAK ka listuar vetëm 3 tendera me vlerë rreth 1 milion euro. Nga informacionet zyrtare bëhet fjalë për tendera të firmosur në një datë, më 18 prill 2022 me vlera 270 mln lekë, 450 milionë lekë dhe rreth 400 milionë lekë, të cilat koincidojnë edhe me tenderin për mbikëqyrjen e Tunelit të Llogarasë. Pasi fitoi këto tendera, “NETGROUP”, përmes transaksioneve, i kalonte të ardhurat tek kompania ‘DAAM’ shpk, që Evis Berberi e zotëronte në mënyrë indirekte. Këto fitime përllogariteshin në vlerën 223 milionë lekë ose gati 2.2 milion euro. Nga burime konfidenciale, “Vetting” mëson se SPAK ka zgjeruar hetimet, duke vendosur në lupën e investigimit edhe tenderin për supervizimin e punimeve të Tunelit të Llogarasë, që është fituar nga Valter Begaj, miku i Evis Berberit, ish-krahu i djathtë i Ballukut.