Hetimi i krimeve zgjedhore, drejtuesi i SPAK Altin Dumani takohet me Ilirjan Celibashin në KQZ! Detajet nga diskutimi, vizitë në Qendrën Operacionale

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka zhvilluar një takim në ambientet e KQZ-së me drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, si edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

 

Raportohet se qëllimi i këtij takimi ishte rritja e koordinimit ndërinstitucional në funksion të garantimit të integritetit të zgjedhjeve dhe forcimit të mekanizmave për parandalimin dhe ndëshkimin e çdo forme shkeljeje të ligjit zgjedhor.

Në fokus të diskutimeve ishin masat e përbashkëta që institucionet po ndërmarrin për të garantuar një proces zgjedhor të qetë, të sigurt dhe të besueshëm në të gjitha fazat e tij.

Pjesëmarrësit ndanë informacion mbi masat konkrete organizative dhe operacionale të vendosura në funksion të parandalimit të incidenteve, presioneve apo përpjekjeve për të ndikuar paligjshëm në vullnetin e zgjedhësve.

Një temë me rëndësi të veçantë ishte adresimi i shkeljeve të mundshme të ligjit zgjedhor dhe trajtimi i tyre nga organet përkatëse të drejtësisë. Gjatë takimit u prezantuan të dhëna mbi numrin e kallëzimeve të bëra deri tani në lidhje me veprime apo mosveprime që bien ndesh me Kodin Zgjedhor. U theksua rëndësia e reagimit në kohë të institucioneve përkatëse – prokurorive dhe policisë – për të hetuar çdo shkelje që mund të minojë integritetin e procesit zgjedhor dhe besimin e qytetarëve në të.

Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishte edhe procesi i votimit nga jashtë vendit, një komponent i ri dhe sfidues i këtyre zgjedhjeve. U diskutua mbi përgatitjet institucionale, logjistikën, sigurinë e dërgesave postare dhe garantimin e të drejtës së votës për qytetarët shqiptarë që ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Krerët e institucioneve vizituan edhe Qendrën Operacionale të Kundër Krimeve Zgjedhore në KQZ ku janë atashuar përfaqësues nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Artikulli paraprakAmbasada e SHBA publikon mesazhin e zv.presidentit amerikan: S’duhet të kemi frikë prej qytetarëve tanë, edhe atëherë kur ata shprehin pikëpamje që nuk pajtohen me udhëheqësit e tyre
Artikulli tjetërZv. presidenti i Bosnje Hercegovinës padit Dodikun, akuzohet se ka nxitur urrejtje kombëtare, racore dhe fetare!