Hetimi i njerëzve me pushtet, një normalitet si kurrë më parë

Nga Ervis Iljazaj

Nëse ka një arritje të vërtetë Reforma në Drejtësi, janë padyshim pamjet apo parakalimet që bëjnë politikanët shqiptarë të niveleve të larta përpara dyerve të SPAK. Pamjet me të cilat opinioni publik shqiptar nuk është mësuar në 33 vite pluralizëm.

Pothuajse çdo ditë, apo çdo javë, ka ndonjë politikan që paraqitet në zyrat e SPAK dhe, kjo tani është kthyer në një ritual të zakonshëm. Sot ishte radha e Erion Veliajt, Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe një nga njerëzit më me pushtet në politikën shqiptare. Veliaj është marrë në pyetje për 8 orë me radhë.

Megjithëse u mundua që ta paraqiste këtë gjë si bashkëpunim me SPAK, të gjithë e dinë, dhe vetë ai e di që askush nuk do donte të kalonte atë derë. Prandaj pëpjekjet propagandistike për tu paraqitur përpara qytetarëve si një njeri i paprekshëm, janë stërmundime të kota. Sot në Shqipëri askush nuk është më i paprekshëm. Që nga Sali Berisha, Ilir Meta e deri te Erion Veliaj përpara hetuesve të SPAK, e sotmja tregon një realitet të ri të raporteve midis drejtësisë dhe pushtetit.

Përpara këtyre pamjeve sigurisht që ka reagime dhe ndjesi të ndryshme. Të gjendur me një panoramë të re, të pamësuar më parë, edhe ndjesitë që ato përcjellin dhe përjetohen nga qytetarët shqiptarë janë të ndryshme. Disa lumturohen, disa hidhërohen, disa e bekojnë SPAK, ndërsa disa të tjerë e mallkojnë. Por ama, me këto pamje do të duhen të mësohen. Tashmë hetimi i politikanëve të nivelit të lartë në Shqipëri është kthyer në një normalitet dhe ky padyshim që është një lajm i mirë.

Për këtë arësye sot politika shqiptare nuk ndahet në të djathtë dhe të majtë, por në pro SPAK dhe kundra SPAK. Aq e vërtetë është kjo saqë ka në sfond një marrëveshje politike trasversale kundër organit të ri të drejtësisë. Me mënyra të ndryshme, klasa e vjetër politike po përpiqet ti vendosë pengesa politike apo ligjore punës së SPAK dhe asaj që ky organ ka filluar të bëjë, hetimin e pushtetit në nivele të larta të politikës. Nëse do tja dalin ta pengojnë apo jo, kjo mbetet për tu parë. Por beteja e re politike do të jetë padyshim klasa politike 34 vjeçare kundër organit të ri të drejtësisë, SPAK.

Këto pamje, pra, hetimi i zyrtarëve të lartë nga drejtësia, janë ngjarje normale në vendet dhe në botën demokratike ku ne aspirojmë të bëhemi pjesë, prandaj shoqëritë atje, kanë një reagim më të matur, apo më të ftohtë në të tilla raste. Sepse jeta ekonomike, sociale apo kulturore nuk varet dhe as nuk ndalon nëse politikanë të rëndësishëm hetohen apo dënohen. Ndryshe nga shoqëria shqiptare, ku çdo gjë varet nga politika, apo më keq akoma, nga disa personazhe që kanë diktuar jetën politike shqiptare për dekada.

Sigurisht në vendet demokratike nuk ka një shpeshtësi të hetimeve ndaj politikës siç po ndodh në Shqipëri, por edhe ky fenomen ka shpjegimet e veta. E para, sepse hetimet e sotme ndaj politikës po ndodhin në këto nivele për arsye të mungesës 33-vjeçare të tyre. Me sa duket, ka ardhur momenti. Kemi kaluar nga një ekstrem në ekstremin tjetër. Nga zero hetime, në shumë hetime. Dhe e dyta, sepse dihet që politika shqiptare dhe ajo ballkanike në përgjithësi mban më shumë mëkate mbi supe se sa ajo e vendeve demokratike europiane dhe përtej saj.

E megjithatë, të hetohesh nga drejtësia nuk do të thotë aspak se je i fajshëm deri sa të shpallesh i tillë nga të gjitha shkallët e drejtësisë dhe me një proces të rregullt gjyqësor, ashtu sikurse e përcakton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Prandaj momenti që ka ardhur, pra, hetimi i politikanëve të fuqishëm, nuk duhet ta bëjë aspak opinionin publik të paduruar për drejtësi dhe të nxisë drejtësinë në një revansh ndaj politikës të pakontrolluar. Momenti ku jemi sot kërkon maturi dhe qetësi nga të gjithë aktorët dhe faktorët, nëse vërtet duhet të instalojmë një drejtësi të pavarur dhe në shërbim të shoqërisë shqiptare, siç ndodh në çdo vend tjetër demokratik.

Exit mobile version