Hetimi mbi ndërhyrjen e Britanisë në Irak

Kreu i një komisioni hetimor për rolin e Britanisë në luftën e Irakut, John Chilcot tha dje se konflikti ishte një ndërhyrje që dështoi keqazi, duke lënë pasoja edhe sot e kësaj dite. Në luftën e Irakut u vranë 179 ushtarë britanikë.
Ish-zyrtari i qeverisë britanike, John Chilcot i bëri komentet ndërsa komisioni që ai drejtonte publikoi një raport të shumëpritur pas disa vjet dëshmish publike dhe analizave të 150 mijë dokumenteve. Ata synonin të përcaktonin nëse ndërhyrja e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak ishte e nevojshme dhe nëse trazirat që pasuan duhet të ishin parashikuar.
“Ne kemi arritur në përfundimin se gjykimet lidhur me peshën e kërcënimit që përbënin armët e shkatërrimit në masë të Irakut u paraqitën me një siguri që nuk ishte e justifikuar. Megjithë paralajmërimet e qarta, pasojat e ndërhyrjes u nënvlerësuan. Planifikimi dhe përgatitjet për Irakun pas Saddam Husseinit nuk ishin të mjaftueshme. Qeveria nuk i arriti objektivat e përcaktuara”.
Asnjë armë e shkatërrimit në masë nuk u gjet në Irak.
Chilcot tha se veprimi ushtarak në Irak mund të ishte i nevojshëm në njëfarë pike, por në mars të vitit 2003 nuk kishte ndonjë kërcënim të pashmangshëm nga Saddam Husseini.
Chilcot tha se rreziqet e grindjeve të brendshme dhe aktiviteti i Al-Kaidës në Irak, si dhe paqëndrueshmëria në rajon, ishin theksuar qartësisht para se të fillonte ndërhyrja. Ai tha gjithashtu se Kryeministri Tony Blair ishte paralajmëruar se veprimet ushtarake do të shtonin kërcënimin e Al-Kaidës për Britaninë.
Raporti përfshin edhe korrespondencën mes ish-Kryeministrit Tony Blair dhe ish-Presidentit George W. Bush. Tetë muaj para luftës në Irak në vitin 2003 zoti Blair i kishte premtuar mbështetjen e tij pa kushte, edhe pse kishte rezerva të shumta rreth një operacioni ushtarak.
Zoti Blair i ka kundërshtuar akuzat se ka vepruar me pandershmëri në vendimin për të shkuar në luftën ku u vranë 179 ushtarë britanikë. Ai tha se ka vepruar me qëllim të mirë në atë që besonte se ishte në interesin më të mirë të vendit.

Exit mobile version