Hetimi ndaj Shullazit, Apeli do të rigjykojë ish-hotel Vollgën

Kolegji Administrativ në Gjykatën e Lartë rihap çështjen e pronësisë për ish-hotel Vollgën në Durrës, duke rikthyer për rigjykim në apel këtë çështje. Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme, kolegji ka vendosur të rikthejë çështjen në Gjykatën e Apelit në Durrës, aty ku kompania Saaudi Brothers pretendon se është bërë dhe padrejtësia.
Kolegji Civil ka gjetur shkelje në vendimin e Apelit dhe për këtë arsye, ka vendosur që procesi duhet gjykuar përsëri. Themeli i kësaj çështjeje do të jetë përsëri objekti i Apelit të Durrësit, që në vitin 2003 vendosi t’ia kalojë pronën Zanmir Hasës. Togat e zeza kanë lënë në fuqi vendimin për pezullimin e pronësisë së ish-hotelit dhe deri në përfundim të procesit nuk mund të kryhen transaksione me këtë pronë.
Për 11 vite kompania arabe “Saudi Brothers”, e cila e bleu ish-hotelin në vitin 1994 pretendonte pronësinë. Në vitin 2014 Gjykata e Lartë vendos pezullimin e regjistrimit të kësaj prone deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Po gjatë 2014, Gjykata e Durrësit me një vendim të dyshimte, sipas Prokurorisë, anashkalon Gjykatën e Lartë dhe prona regjistrohet në emër të kompanisë arabe. Pas këtij momenti 2/3 e pronës kalojnë tek shtetasit Fejzi dhe Marjeta Kodra për shumën e 671 mijë eurove. Pjesën tjetër kompania arabe me përfaqësues shtetasin Ylvi Beqja ia dhuron për mirënjohje Emiljano Shullazit.
Prokuroria ka dyshime se Fejzi dhe Marjeta Kodra nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një shumë të tillë dhe ka dyshime se kanë pastruar para. Por, Fejzi Kodra thotë se paratë i ka marrë nga miku i tij Luan Leka.
Veprimet e shitjes dhe dhurimit, thotë Prokuroria, janë kryer nga shtetasi Ylvi Beqja, i cili, pas arrestimit të Emiljano Shullazit mësohet të ketë deklaruar në Prokurori se dhurimin e kishte bërë nën kërcënim dhe se po nën kërcënimin e armëve i kishte dhënë edhe 550 mijë euro.
Nga këto veprime shkruan Prokuroria në dosjen hetimore, dyshohet se është kryer një vepër penale tjetër në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës siç është ajo e zhdukjes së origjinës së kësaj prone dhe regjistrimin e saj në emër të Emiljano Shullazit.
Ndërkohë që Gjykata e Lartë ka vendosur që kjo pronë të qëndrojë në masën e sigurisë për t’u mos u tjetërsuar, atë të sekuestros preventive për llogari të Prokurorisë së Durrësit, e cila ka nisur hetimet për mënyrën se si kjo pronë u tjetërsua nga pronarja e para diktaturës Alie Fortuzi tek Zamir Hasa, Saudi Brother, Ylvi Beqaj e në fund Emiljano Shullazi.

Hetimet

Bashkëpunëtori i drejtësisë Ylvi Beqja, ka rrëfyer me detaje para prokurorëve, të gjithë kalvarin e proceseve gjyqësore për të marr ish-hotel Vollgën si përfaqësues i kompanisë arabe. Si dhe ka treguar njohjen dhe takimet me Emiljano Shullazin dhe dhunën e kërcënimet që ky i fundit i ka bërë, duke detyruar të paguaj në formë gjobe rreth 550 mijë euro cash.
Burimet thonë se biznesmeni tashmë i mbrojtur, ka treguar se si pasoj e kërcënimeve dhe dhunës është detyruar t’i paguajë Shullazit dhe pjesëtarëve të bandës së tij rreth 400 mijë euro cash. Para këto që janë provuar se i ka tërhequr nga bankat e nivelit të dytë në disa raste, duke ia dorëzuar pjesëtarëve të bandës së Shullazit. Por, pas dorëzimit të kësaj shume, Beqja ka treguar se për të lënë gjurmë, ka kërkuar që pagesat e tjera të bëheshin me çeqe me arsyetimin se nuk e lejonte kompania që të tërhiqte para CASH. Të ndodhur në këto kushte, Shullazi ka pranuar kërkesën e tij, duke ia dorëzuar tre emrat e të besuarve të tij, si personat në emër të cilëve do kalonin parat.

Artikulli paraprakDekonspironte operacionet, informatori i Balilit brenda radhëve të Policisë
Artikulli tjetërSi u përgjua ambasada e SHBA me ‘Imsi Catcher’?