Hetimi, si i dha Rama vëllezërve Bajri 362 mijë m² plazh-pronë shtetërore në Velipojë

Dalin të dhënat e para të hollësishme, nga dosja voluminoze pas një hetimi 6 mujor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për klanin “Bajri”
Mësohet se një nga bizneset më të mëdha të këtij grupi është ngritur në një nga zonat turistike në plazhin e quajtur “Pulaj”, ku vëllezërit Bajri pasi kanë uzurpuar disa qindra mijë metra katrorë pronë shtetërore, e kanë “pastruar” nëpërmjet procesit të legalizimit, vetëm 1 vit pas ardhjes së Rilindjes në pushtet, në muajin Shtator të vitit 2014.
Ky biznesi dhe kjo pronë gjigante e uzurpuar dhe legalizuar nga qeveria e Rilindjes, figuron në emër të nënës 80-vjeçare të vëllezërve Bajri.
Gjatë hetimeve është zbuluar, se grupi kriminal paratë e fituara nga një aktivitet i gjerë kriminal brenda dhe jashtë vendit i ka financuar në Shqipëri dhe kryesisht në zonën e qarkut të Shkodrës, në aktivitete tregtare dhe pasuri të paluajtshme. Pikërisht vepra penale e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” është një nga akuzat e shumta, që pritet të ngrejë Prokuroria e Krimeve të Rënda për këtë klan të rrezikshëm.
Shumë prej këtyre aktivitete, rezultojnë të regjistruara në emër të Servete Rustemit (Bajri), nëna e Behar dhe Enver Bajrit, e cila aktualisht është në moshën 80-vjeçare. Hetuesit kanë zbuluar se në një rast, Servete Rustemi është regjistruar me statusin “Person Fizik” dhe ky biznes ndodhet në një nga zonat më të lakmuara turistike në Velipojë, në pasurinë nr.802, në zonën kadastrale nr. 3072.
Nga verifikime më të thella rezultoi se kjo pasuri, sipas librit të ngastrave shkurt 2002, ndodhur në zonën Pulaj, Plazh Shkodër me sipërfaqe 362 mijë e 843 metra katror e llojit Rranishtë, ka qenë me pronar SHTET.
Në praktikën për legalizim të bërë nga Bajrët në Shtator 2014, figuron që porositësi i projektit (Hotel-Bar-Restorant) rezulton të jetë shtetasi Enver Bajri. Sipas dokumentacionit tashmë të sekuestruar, për këtë objekt rezulton se janë bërë dhe dy kërkesa të tjera nga vetë e moshuara, nëna 80 vjeçare e vëllezërve Bajri, Servete Omer Bajri.

Seanca gjyqësore
Ditën e sotme pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda po zhvillohet një tjetër seancë me anëtarë të klanit Bajri, të cilët janë arrestuar pak ditë më parë në Tiranë dhe në Shkodër.
Bëhet fjalë për Ismet Idrizin, të arrestuar në Shkodër, Denis Brajoviq, të arrestuar në Tiranë dhe Klaudio Hoxhalliun, të arrestuar gjithashtu në Tiranë.
Por Safet Bajri i cili u përball dje në dy gjykata do njihet sot me një masë të tretë sigurie nga Krimet e Rënda. Safet Bajri ka dy masa sigurie, një nga Apeli i Shkodrës dhe një Krimet e Rënda.
Pas masave për gjashtë anëtarë të arrestuar si pjesë e klanit “Bajri”, sot tre të tjerë pritet të njihen me masën e sigurisë. Ata janë Ismet Idrizin, i arrestuar në Shkodër dhe Denis Brajoviq, Klaudio Hoxhalliun, të arrestuar në Tiranë.
Ditën e djshme Krimet e Rënda kanë lënë në burg Safet Bajrin dhe 5 anëtarë të tjerë të grupit kriminal “Bajri”, të cilët janë; Ilir Rustemin, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Emrah Plakun, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Astmer Bilalin, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër; Armir Grimajn, arrestuar në Shkodër dhe Fabiol Rexhepin, të arrestuar në Shkodër.
Mësohet se të arrestuarit kanë ofruar garanci për një masë më të butë duke pretenduar gjykim në gjendje të lirë ose arrest shtëpiak, por kjo nuk është pranuar.

Exit mobile version