Hetimi: Studentja u vra me 3 plumba nga Aldison Beluli

Ariela Murati, studentja 21-vjeçare e Fakultetit të Drejtësisë që u vra të dielën në Tiranë, gjeti vdekjen nga tre plumba. Në këtë përfundim ka dalë grupi hetimor i çështjes. Burime nga hetimi bënë të ditur se në trupin e viktimës u gjetën plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit; në kokë, këmbë dhe krah.
Bazuar në të dhënat e të afërmve dhe dëshmitarëve të marrë në pyetje nga grupi hetimor, mësohet se vajza i ishte përgjëruar 23-vjeçarit Aldison Beluli që të mos e vriste. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes pohuan në polici, se studentja i ishte ulur edhe në gjunjë që i riu të mos e kryente krimin makabër, por përpjekjet e saj rezultuan të kota.
Po ashtu, burime nga hetimi bënë të ditur bazuar në disa dëshmi familjarësh se dy të rinjtë kishin qenë të lidhur, dhe tashmë vajza donte t’i jepte fund kësaj lidhje. Për këtë arsye Ariela kishte ndërruar edhe numrin e saj të telefonit. Sipas motrës së saj, ajo nuk donte të kishte asnjë mundësi kontakti me autorin e krimit, duke shkëputur çdo lidhje me të.
Aldison Beluli, i cili tentoi vetëvrasjen pas krimit të rëndë vijon të jetë në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. Sipas mjekëve, ai ka dy plagë plumbi në kokë, dëmtime në tru dhe po mbahet në jetë me aparatura.

Exit mobile version