Hetuesi i torturave, Xhafa ministër me votat e PS-LSI

Kandidatura e ish-xhelatit të sistemit komunist Fatmir Xhafaj, për postin e ministrit të Brendshëm,  ka marrë dje 76 vota në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e Ramës dhe një pjesë e LSI-së, kanë votuar në rresht për ish-hetuesin që akuzohet se ka marrë pjesë në tortura, duke shënuar kështu hapa mbrapa në shkëputjen e këtij vendi nga e shkuara komuniste e këtij vendi.  Vetëm një pjesë e deputetëve të majtë, shprehën mosdakortësinë e tyre, dhe këtë e bënë duke mos marrë pjesë në seancë. Megjithëse kishte dhe një thirrje të Presidentit të Republikës, për të mos e votuar Fatmir Xhafën në seancë, sërish deputetët e mazhorancës u bënë palë me Edi Ramën, duke treguar dhe një herë se e majta shqiptare smund të shkëputet dot nga e shkuara e saj, apo ish PPSH e dikurshme, pjellë e së cilës ata janë.

Votimi

Tetë dekretet e shkarkim emërimeve, u kaluan pa debat. Dhe debate që zhvilloi deputeti i LIBRA, Ben Blushi, kishin të bënin më shumë me sulmin ndaj figurës së kryeministrit. E kaluara e Xhafës, ishte temë tabu në diskutimet e djeshme. Urdhri i Edi Ramës, ishte i prerë që jo vetëm të votohej Xhafa, por të shmangeshin komentet në adresë të tij, qofshin këto dhe në mbrojtje. Megjithëse, nuk do ishte ministri më i votuar sërish ai do të merrte numrin e nevojshëm të votave për të marrë karrigen e ministrit të Brendshëm. Nga dje, ish-hetuesi që nuk i ngjiti dot më shumë shkallët e karrierës në kohën e diktaturës, do i ngjiste ato në kohën e qeverisjes së Edi Ramës. Aleati i tij Ilir Meta, deputetja Monika Kryemadhi, Ylli Shehi, dhe Silva Caka nga LSI iu shmangën votimit, duke mos shkuar në seancë, ndërsa nga PDIU mungonte vetëm deputetja Mesila Doda. Të tjerët ishin aty, deputetët e rilindjes në bllok dhe të tjerë për të ngritur kartonin jeshil për njeriun, i cili sot akuzohet publikisht se ka torturuar dhe ushtruar gjenocid në vitet 1985-1986. Ky është një fakt i pamohueshëm, pavarësisht lajmeve të rreme që mundohej të shpërndante Edi Rama. Ashtu siç është fakt se e majta shqiptare mbetet një nostalgjike e regjimit të shkuar.

Akuzat

Në adresë të Fatmir Xhafajt, deri më tani janë hedhur akuza serioze nga të paktën dy persona. Valbona Maloku, ka akuzuar Xhafajn se e ka torturuar në moshën 19-vjeçare për shkak të vëllait të saj që kish ngritur dolli në ditën e vdekjes së Enver Hoxhës. Pas saj, dëshmi ka dhënë dhe Xhavit Koni, që ka konfirmuar se Xhafaj e ka torturuar në moshën 15-vjeçare, në një kohë që ka qenë minoren. Persona të tjerë do të vazhdojnë të dëshmojnë në ditët në vijim. Nga proçesi i marrë në dorë nga Xhafa aso kohe, jo vetëm që vuajtën torturat të paktën tetë persona, por u shënua dhe një vdekje, si pasojë e këtij hetimi, ajo e Haki Senës me profesion inxhinier kimist. Nga ana tjetër kanë dalë dokumenta të firmosura që pohojnë faktin se Xhafaj ka qenë hetues të paktën përgjatë dy viteve 1985-1986, përkundër asaj që thotë ai vetë se ka dalë nga sistemi në fund të vitit 1985. Fotot me ish-ministrin e Brendshëm Hekuran Isai dhe diktatorin Hoxha janë bërë virale në rrjet. Por sërish ish-xhelati i djeshëm u votua si ministër i Brendshëm, duke mbartur mbi vete dhe turpin e atyre që ngritën kartonin për të.

Shkelet ligji, mazhoranca nuk arrin të shkarkojë Blendi Klosin

Me votimin e djeshëm, mazhoranca ka shkelur hapur edhe rregulloren e Kuvendit, kur votoi dy herë për shkarkimin e Blendi Klosit, si ministër i Punës. Në votimin e parë shkarkimi i tij mori vetëm 70 vota, dhe nuk kishte as mungesë kourumi as ndonjë gabim në votim. Në bazë të ligjit, kur ska problem gjatë votimit, atëherë mbetet në fuqi votimi i parë. Ka qenë kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi, i cili ka lajmëruar kryesuesen e seancës Valentina Leskajn, se Blendi Klosi nuk mund të shkarkohej, pasi nuk mund të shkarkohej me 71 vota. Votimi në kundërshtim me rregulloren u përsërit, dhe në votimin e dytë u arrit shkarkimi i Klosit me 76 vota. Në fund rezultati për tetë dekretet e Presidentit ishte ku Samir Tahiri u shkarkua si ministër i Brendshëm me 75 vota pro dhe në vend të tij u votua Fatmir Xhafaj me 76 vota. Ilir Beqaj u shkarkua si ministër i Shëndetësisë me 78 vota pro dhe në vend të tij u votua Olgerta Manastirliu me 79 vota pro. Bledi Çuçi u shkarkua si ministër i Pushtetit Vendor me 78 vota pro dhe në vend të tij u votua Eduard Shalsi me 76 vota pro. Blendi Klosi u shkarkua si ministër i Mirëqenies Sociale me 76 vota pro dhe në vend të tij u votua Olta Xhaçka me 76 vota pro. Votimi për shkarkimin si ministër të Blendi Klosit dhe emërimin e Olta Xhaçkës u bë dy herë për shkak të mosvotimit të deputetëve socialist. Herën e parë, Blendi Klosi mori 70 vota për shkarkim, çka nuk janë të mjaftueshme, pasi duhen të paktën 71 vota. Herën e dytë të votimit, Blendi Klosi u shkarkua me 76 vota pro dhe Olta Xhaçka u votua për ministre me 76 vota pro.

Exit mobile version