Ish-oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Vlorës, Arben Jorgaqi, për të cilin mediat gjermane shkruanin dje se është kërcënuar dhe rrezikon jetën është shprehur dje për mediat se është shkarkuar pa asnjë motiv nga puna. Pas shkrimit të publikuar nga mediat gjermane, ku shkruhej se prokurorit i rrezikohej jeta në Shqipëri, pasi kishte goditur bandat kriminale, Prokurori i Vlorës, Ramadan Troci u shpreh se, “ai ka hetuar çështje për vjedhje kapakësh pusetash”, por Jorgaqi ka sfiduar Trocin, duke i kërkuar që të publikojë një dosje të tij për vjedhje të tilla. Jorgaqi thekson se nuk ka kërkuar dhe nuk do të kërkojë ndonjëherë azil.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Arben Jorgaqi shprehet se ka punuar për 10 vjet si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Vlorës, nga viti 2007 deri në prill të këtij viti, kur e transferuan në Përmet.
Ndërsa thekson se ka hetuar çështje nga më të ndryshmet, nga vrasjet e trefishta, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, falsifikime, e deri te shpërdorimi i detyrës nga zyrtarë të lartë. Jorgaqi shprehet se, është shkarkuar pa asnjë motiv nga puna. Ai thotë se, Prokuroria e Vlorës pushon hetimet për njerëz që i mban 7 muaj në kërkim, me mandat arresti, pa i marrë as në pyetje.
“Kam qenë oficer i Policisë Gjyqësore në Vlorë nga nëntori i vitit 2007 deri në prill të vitit 2017, kur më transferuan në Përmet. Megjithëse, ligji për veting dhe dispozitat kalimtare kushtetuese i ndalojnë transferimet apo lirimet. Më 29 maj, Gjykata vendosi rikthimin tim në Vlorë dhe të nesërmen u lirova me faks. Motivacioni i shkarkimit jo e jo, por nuk është as neni i ligjit që i referohet shkresa e shkarkimit. Brenda një muaji janë nxjerrë më shumë se 40 urdhra lirimi dhe rekrutimi. Këtë gjë e tha edhe Gjykata Administrative e Tiranës”, shprehet Jorgaqi.
Më tej ai thotë se, gazetari gjerman ka burimet e tij. Nuk besoj se ka dobësi për hetuesit e vjedhjeve të kapakëve të pusetave. “Unë në 10 vjet kam hetuar një gamë të gjerë veprash penale. Nga vrasjet e trefishta, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur, falsifikime, shpërdorim detyre të zyrtarëve të lartë. E sfidoj Ramadan Trocin të nxjerrë një dosje timen me vjedhje kapakësh pusetash. Kam pasur në dorë rreth 20 çështje në atë kohë. Kam qenë pjesë e hetimeve të rëndësishme. Mund të ngrini pyetje pse Prokuroria e Vlorës pushon hetimet për njerëz që i mban 7 muaj në kërkim, me mandat arresti, pa i marrë as në pyetje”, shprehet ish-oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Vlorës, Arben Jorgaqi.