Jupp Heynckes, trajneri i Bayern Munchen, ka analizuar kualifikimin e të tijve në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas triumfit total 8-1 ndaj Besiktas. “Luajtëm kundër një ekipi shumë të mirë dhe që kërkoi të bënte më të mirën. Duke shënuar tre gola në Stamboll, kjo nuk ishte e lehtë, por tregon se si ekipi ynë është i suksesshëm dhe i zgjuar”. Trajneri veteran gjerman e ka hedhur vështrimin edhe nga raundi vijues i Champions-it, çerekfinalet, shorti i të cilave hidhet nesër, në Nyon të Zvicrës: “Cilin rival dua të shmang? Në futboll nuk mund ta kesh luksin, duke thënë: Unë dua të mos luaj kundër një ekipi të veçantë. Sido që të jetë kundërshtari, ne duhet të jemi gati të përballemi vetëm me ekipe të forta, sepse të tilla janë të gjitha ato që mbërrijnë deri këtu. Për lojtarët, ky fakt është një motivim shtesë. Tifozët kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur dhe luajnë në mjedise si stadiumet e Besiktas, Napolit apo Glasgow”. FC Bayern nëpërmjet fitores 3-1 ndaj Besiktas ka arritur fazën e çerekfinaleve të Champions League. Dhe Thomas Muller ka folur rreth fitores së çuditshme. Për bavarezët shënuan Alcantara dhe Wagner, ndërsa tjetri ishte një autogol. Por atmosfera shumë e zhurmshme ka ndikuar në paraqitjen e skuadrave, sidomos të gjermanëve.
“Kishte shumë zhurmë sot. Kur filluan fërshëllimat nuk merrej më vesh asgjë në fushë”. “Sot na mungoi struktura dhe kemi humbur shumë topa që zakonisht nuk i humbasim”. “Ishte shumë kaotike ndonjëherë situata, përveç tifozëve, edhe presingu i Besiktas ishte agresiv”. “Por rezultati tregon se kemi bërë një lojë të mirë dhe kemi marrë fitoren. Në fund të fundit kemi bërë detyrën tonë”.