Jupp Heynckes shpreson të shmangë “dushin” tradicional të birrës së Bayern Munich në lamtumirën e tij nga Bundesliga. Trajneri veteran do t’i udhëheqë bavarezët në një ndeshje kampionati për herë të fundit, këtë të shtunë, me kampionët gjermanë që sfidojnë Stuttgartin në “Allianz Arena”.
Heynckes, i cili do të zëvendësohet nga trajneri i Eintracht Frankfurt, Niko Kovac, në fund të sezonit, ka fituar katër tituj të Bundesligës në krye të Bayernit. Por, 73-vjeçari dëshiron të qëndrojë i thatë, kur lojtarët e Bayernit të bëjnë festën e “dushit të birrës”, në fund të ndeshjes ndaj Stuttgartit.
“Bayerni di të festojë në një shkallë më të madhe, – u tha Heynckes gazetarëve të premten. – Por, unë nuk mund ta bëj “dushin e birrës”, sepse nuk kam më moshë për të. Ka qenë një kohë e mrekullueshme, me një grup të mrekullueshëm lojtarësh dhe një ekip shumë të mirë. Pas kësaj, do të kthehem në anonimitet.
Ishte kënaqësi për të ardhur në fushën e trajnimit të Bayernit çdo ditë, sepse atmosfera është kaq e mirë, jo vetëm brenda ekipit, por edhe në stafin stërvitor. Kur merreni përsipër një punë si kjo, nuk mendoni se ku do të qëndroni në fund të sezonit.
Në këtë moment, gjithçka që mendoni është: Si mund ta kthej ekipin tim në rrugën e duhur? Patjetër, jam i kënaqur me punën time këtu”. Ndeshja finale e Jupp Heynckes në krye të Bayernit do të jetë finalja e “DFB-Pokal”, kundër Frankfurtit të Kovac, më 19 maj.