Heynckess kërkon zëvendësin

 

Të enjten duhej të ishte dita e tij e parë si trajner i Bayernit të Mynihut, por Jupp Heynckess nuk u shfaq përpara mediave. Stërvitja e parë me skuadrën pas rikthimit në ekip është planifikuar të hënën, por mesa duket në rrugën mes trajnerit dhe klubit ka dalë një pengesë. Heynckess do të ulet në pankinën bavareze për të katërtën herë në karrierën e tij pas atij suksesi historik në vitin 2013, por kjo nuk do të ndodhë nëse Bayerni dhe ai vetë nuk do të gjejnë një zgjidhje për çështjen e zv/trajnerit.
Momentalisht mungon zyrtarizimi dhe shkak është pikërisht kjo çështje. Heynckess ka kërkuar të ketë në krah zëvendësin Peter Hermann me të cilin ka një histori të gjatë bashkëpunimi, por ky i fundit ka ende një kontratë që e lidh me Fortuna Dusseldorf. Për ta liruar nga detyrimet që ka me klubin aktual, Bayerni duhet të paguajë rreth 1 milionë euro dhe për Hoeness ky është një problem edhe pse paratë tek klubi bavarez nuk mungojnë. Gjithsesi, gjatë ditëve të ardhshme kjo çështje mund të zgjidhet pasi koha nuk pret dhe Bayerni ka nevojë për një trajner.

 

Artikulli paraprakSiria vazhdon të ëndërrojë
Artikulli tjetërFyen sistemin VAR, dënohet Dr. Sportiv i Juves për dy javë