Një shpërthim me eksploziv është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Bulqizë. Zyrtarisht, policia njoftoi se rreth orës 01.00, në pjesën e përparme të automjetit të Elton Debreshi, dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
“Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Dibër po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, dhe kapjen e autorëve”, shtuan të njëjtat burime.
Debreshi, minator dhe sindikalist ishte dhe kandidat i pavarur për deputet në Qarkun e Dibrës në zgjedhjet e fundit parlamentare, edhe pse nuk arriti të merrte mandat deputeti. Debreshi është shfaqur në fushatë si mbrojtës i kauzës së të drejtave të minatorëve.
Edhe pas zgjdhjeve, Debreshi ka vijuar me aktivizimin e tij për mbrojtjen e të drejtave të minatorëve.
Paraprakisht, ngjarja dyshohet të ketë lidhje me detyrën e Debreshit si Kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.