Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur gjatë orëve të para të ditës së djeshme në Krujë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Borizanë rreth orës 02:15, ku një automjet është hedhur në erë me tritol. Automjeti, tip “Peugeot”, ishte në pronësi të 39-vjeçarit me iniciale A.H, banues në këtë fshat. Në momentin kur ndodhi shpërthimi, makina ishte e parkuar pranë banesës së tij. Sipas policisë, dëmet kanë qenë vetëm materiale. Policia bëri të ditur se, grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe identifikimin e autorit. Pronari i makinës ka deklaruar para policisë, se nuk ka patur konflikte me asnjë person dhe nuk e dinte se kush mund ta ketë vendosur tritolin.
Po ditën e djeshme janë gjetur 6 kallëpe tritoli në një pallat në Kavajë. Gjashtë ditë më parë u shembën tre katet e fundit të një pallati 20-katësh tek Shkëmbi i Kavajës. Por sot, djali i ndërtuesit ka gjetur 6 kallëpe tritoli të vendosura në kollonat e betonit në katin e 18-të. E. Shala, 19 vjeç ka lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka gjetur dhe lëndën plasëse të pashpërthyer.
Sipas policisë E. SH, 19 vjeç nga Tirana, ka njoftuar në polici së në pallatin tek Shkëmbi i Kavajës kishte konstatuar 6 kallëpe tritoli. Policia ushtroi menjëherë kontroll të imtësishëm dhe kanë gjetur sasinë e lëndëve plasëse të vendosur në dy kollona betoni, nga tre kallëpe secila. Kati i 18-të i ndërtesës ishte ende i papërfunduar, pasi pronarit Enver Shala i qenë pezulluar punimet për shkak të mungesës së lejes së ndërtimit.