Hidhet në erë me tritol makina e inspektores së Arsimit në Shkodër

Makina e një inspektorje të Drejtorisë Arsimore në Shkodër është hedhur në erë me tritol. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së martë, ndërsa Policia ka fshehur shkaqet e hedhjes në erë të makinës së zyrtares së Arsimit në Shkodër. Sipas burimeve, mjetit me targë AA 700 IY që i përket Frida Koplikut i është vendosur eksploziv dhe nuk bëhet fjalë për shkëndijë elektrike siç u tha paraprakisht nga Policia.
Makina “Wolkswagen” ka shpërthyer në zonën e njohur ndryshe si zona e “Dollarit”. Sipas infomacionit paraprak të Policisë, shpërthimi i makinës është shkaktuar nga një problem elektrik. Por burimet bënë të ditur se makina ka shpërthyer nga tritoli.
Pas ngjajes, Kopliku ka dhënë dëshminë e saj në polici. Ajo ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me askënd. Inspektorja është shprehur se nuk e ka idenë se kush ia ka vënë lëndën plasëse në makinë dhe se shpërthimin e ka marrë vesh nga mediat.
Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, por për fat nuk ka pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet paraprake.
Në njoftimin e policisë thuhet se më datë 11.10.2017, rreth orës 00:50, ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative se në lagjen “Vojo Kushi” Shkodër, në rrugë është dëgjuar një shpërthim i lehtë. “Menjëhere në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe Shërbimi Zjarrfikës ku kanë konstatur se, si pasojë e shpërthimit kishte marrë flakë mjeti tip “Wolkswagen” në pronësi të shtetases F. K. 60 vjeçe, banuese në lagjen “Vojo Kushi”, me detyrë Inspektore në Drejtorinë Arsimore Rajonale Shkodër.
Ndërhyrja në kohë e Shërbimit Zjarrfikës bëri të mundur fikjen e zjarrit. Nga veprimet e para të kryera në vendngjarje dyshohet se ka patur një shpërthim të lehtë poshtë mjetit, i cili ka qenë i parkuar dhe për pasojë mjeti ka marrë flakë.
Automjeti është dëmtuar lehtë në pjesën e prapme, dhe nuk ka patur dëme në njerëz. Po kryhen veprimet me grup hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, bën të ditur policia.

Exit mobile version