Në Krakow u hodh shorti i fazës finale të kampionatit europian të 21-vjeçarëve që do të zhvillohet nga data 16 deri në 30 qershor të vitit 2017-të në Poloni. Ndryshe nga edicionet e kaluara këtë herë në këtë kompeticion marrin pjesë në total 12 përfaqësuese dhe jo 8. 12 ekipet që do të luftojnë mes tyre për fitimin e trofeut u ndanë në 3 grupe me 4 skuadra, ku të parat e çdo grupi do të kualifikohen në fazën gjysmëfinale, ndërsa më tej do të avancojë edhe e dyta më e mirë e të treja grupeve.
Polonia si vend organizator u shortua në grupin A së bashku me Sllovakinë, kampionen në fuqi të Europianit të 21-vjeçarëve, Suedinë dhe Anglinë. Në grupin B, do të kemi një derbi iberik me Portugalinë dhe Spanjën që do të masin forcat me njëra-tjetrën por edhe me Serbinë dhe surprizën e këtij edicioni Maqedoninë. Gjermania që ishte një nga 3 kokat e serisë u shortua në grupin C me përfaqësuese të tilla si Republika çeke, Danimarka dhe mbi të gjitha, Italia. Një sfidë për të mos u humbur ajo e 24 qershorit mes kombëtares së pançerave dhe përfaqësues së kaltër. Ndeshjet e Europianit të 21-vjeçarëve për vitin 2017 do të zhvillohen në 6 stadiume polake.