Higuain: “E prisja tripletën”!

Ishte padyshim Higuain protagonisti kryesor i goleadës me të cilën Juventus shkatërroi të dielën skuadrën e Sassuolo: “E prisja këtë tripletë, jam shumë i lumtur që ia dola dhe shpresoj që të mos jetë e fundit”, deklaroi bomberi bardhezi për kanalin televiziv të klubit. Pipita fikson objektivat: “Mbeten ende edhe shumë sfida, por kjo është rruga e duhur. Shumë e rëndësishme ndeshja me Fiorentina. Do të ishte një gabim i rëndë të mendonim që tani për Champions”. Shkurti është një muaj thelbësor për sezonin bardhezi, por argjentinasi synon të mos shohë përtej sfidës së radhës.
“Është shumë e rëndësishme sfida kundër Fiorentinës, në program për të premten. Nuk mund t’i lejojmë vetes absolutisht që të mendojmë për Champions League. Do të ishte një gabim i rëndë. Përqendrim, egërsi dhe përgjegjësi, janë çelësi për suksesin në rrugëtimin tonë”, deklaroi Higuain. Në kampionat do të ketë një duel të ndezur kundër ish-skuadrës së tij, Napolit. “Ka akoma shumë ndeshje deri në përballjen direkte me Napolin, prandaj duhet të mbajmë fokusin të lartë për çdo ndeshje. Do të nisim përgatitjen për ndeshjen ndaj Tottenham, duke nisur nga dita e shtunë. Në kompeticione të tilla bën shumë pak ndryshim se ku e luan ndeshjen e parë, në shtëpi apo në transfertë. E rëndësishme të martën do të jetë të mos pësojmë gol dhe të tentojmë të shënojmë, për të diskutuar gjithçka në Londër”, përfundoi Higuain.
Massimiliano Allegri e vlerëson shumë Alessio Romagnoli-n dhe nuk humb rast për ta treguar këtë. Sipas trajnerit bardhezi, lojtari i Milan është një nga mbrojtësit italianë më të talentuar të Serisë A, bashkë me Daniele Rugani. Dhe është më i mirë se Mattia Caldara, të cilin bardhezinjtë e kanë marrë nga Atalanta dhe që do të vishet bardhezi në qershor. Pas fitores 7-0 të arritur kundër Sassuolo-s, Allegri ka folur përsëri për rritjen e qendërmbrojtësit kuqezi: “Rugani dhe Romagnoli janë dy të rinjtë më të fortë për të ardhmen e futbollit italian. Sipas mendimit tim, Romagnoli po bën një kampionat shumë të mirë, ka gjetur ekuilibrin e duhur”.
Elozhe këto që nuk janë një rastësi, sepse Juventus, përveç Caldara-s, po mendon që të blejë edhe një qendërmbrojtës tjetër në verë, i cili do të zëvendësojë Benedikt Howedes, që ka pasur shumë probleme me dëmtimet. Kështu, Romagnoli mbetet nën vëzhgimin e “Zonjës”. Arsyeja është e thjeshtë, përveç vlerësimit të Allegri-t, Milan mund të jetë i detyruar të shesë në verë. Kartoni i tij, i paguar 25 milionë euro në verën e 2015-ës, sot mund të ketë një vlerë prej 30/35 milionë eurosh dhe Juventus po mendon që të bëjë lëvizjen vendimtare. Vardisja e “Zonjës” vazhdon, edhe me pëlqimin e Allegri-t.

Artikulli paraprakDo eliminojë PSG
Artikulli tjetërMe koncesionin e rrugës së “Arbrit”, borxhi publik u rrit me 2.1% brenda ditës!