Higuain, i mbivlerësuar i merkatos verore

Observatori i futbollit botëror, CIES ka publikuar një klasifikim interesant me lojtarët më të paguar të kësaj vere që u shoqërua me disa goditje rekordesh në merkato. Sipas analizave të këtij institucioni është Gonzalo Higuain, lojtari që mban vendin e parë në listën e lojtarëve më të paguar, ndërsa pjesa më e madhe e 10 vendeve të para mbahet nga lojtarë që aktivizohen në Premier League. Në këtë mënyrë, sipas shifrave, del qartë se Napoli është skuadra që ka bërë goditjen më të mirë në dalje, pasi sipas përllogaritjeve, vlera reale e sulmuesit argjentinas është 66.2 milionë dhe jo 90 sa pagoi Juventusi në llogarinë e presidentit De Laurentiis. Në këtë mënyrë, Napoli ka arkëtuar plot 23.8 milionë euro më shumë. Vendin e dytë e mban Villarreal me mbrojtësin Eric Bailly.
Mourinho pagoi 38.4 milionë euro për një lojtar vlera reale e të cilit sipas CIES shkon 14.9 milionë dhe klubi spanjoll ka fituar 23.8 milionë më shumë se sa mund të arkëtonte. Më pas klasifikimi vazhdon me sulmuesin Kevin Gameiro për të cilin Atletico Madrid pagoi 37 milionë te Sevilla me një diferencë prej 22.5 milionë euro më shumë se sa vlera reale e kartonit të tij. Një shqiptar në vendin e katërt. Bëhet fjalë për Granit Xhakën të transferuar te Arsenali që sipas Observatorit të futbollit botëror është paguar shuma e pamerituar prej 50 milionë eurosh, ndërkohë që vlera e tij reale është 28.8. Një klasifikim që deri diku lë vend për interpretime, pasi sezoni sapo ka nisur dhe lojtarët duhet të tregojnë në fushën e lojës, nëse i meritojnë sakrificat e klubeve të tyre të reja.

Artikulli paraprakShkëlqejnë Spanja dhe Italia në eliminatore
Artikulli tjetërRashica i lumtur!