Higuain: Juve njësoj si Reali, mentalitet fitues

“Juventusi është si Reali i Madridit, janë skuadra që të mësojnë të fitosh”. E thotë Gonzalo Higuain dhe ka arsye për t’i besuar, argjentinasi ka folur për mediat spanjolle duke krahasuar skuadrën e tij të parë dhe të fundit në Europë, Realin dhe Juven. Ka një diferencë të madhe sipas El Pipitas mes “Santiago Bernabeut” dhe “Juventus Stadium”. “Në Itali publiku nuk është aq kërkues sa te Reali. Nuk është në kulturën e tifozëve juventinë të vërshëllejnë lojtarët e tyre”, tha ai.
Për të thënë të vërtetën Higuain ka shkuar te Juventusi në një moment kur tifozët bardhezinj nuk është se kanë ndonjë gjë të madhe për t’u ankuar. Me Juven sipas tij, ishte dashuri me shikim të parë. “Fakti që një skuadër më kërkoi dhe pagoi një klauzolë kaq të lartë për të më marrë, më bën shumë krenar për atë që ndodhi”, tha Higuain.
Për sa i përket lojtarëve të klasit, Higuain i bën elozhe shokut të tij të skuadrës Dybala, për të cilin thotë se është një fenomen dhe i duhet vetëm të ruajë qetësinë, por nuk mungon komenti edhe për dy yjet e La Ligas.
“Nuk kam thënë kurrë që Messi dhe Ronaldo nuk do të shënonin aq shumë në Itali, kam thënë vetëm se kjo do të ishte një sfidë e bukur”. Asnjë dyshim ndërkohë për sa i përket lojtarit që është pika e referimit për Higuain. “Shikoj vazhdimisht videot e Ronaldo Nazaroi, fenomenit për të mësuar, për mua ka qenë më i miri i gjithë historisë”, përfundoi Higuain.

Exit mobile version