Higuain nuk shënon? Do fitojë titullin

Juventusi nuk arrin t’i shmangë kritikat edhe atëherë kur fiton. Edhe pse bardhezinjtë dominuam me një fitore të thellë 3-1 ndaj Atalantës, sërish gjenden mangësi tek skuadra e Alegrit. Ajo që shqetëson më shumë është mungesa e golit për Higuain, që në 8 sfidat e fundit e ka dërguar vetëm një herë topin në rrjetë. Në krah të argjentinasit del trajneri Alegri, për të cilin më e rëndësishme është që skuadra të fitojë.
“Higuain nuk po shënon? Nuk është problem. Ai është mësuar të realizojë në çdo takim, por tek Juventusi e gjejnë golin edhe futbollistët e tjerë. Zhvilloi një ndeshje të mirë dhe ka patur disa raste. Jam i bindur se do të shënojë në ndeshjet në vazhdim. Gonzalo duhet të ruajë qetësinë, pavarësisht se ka realizuar vetëm një gol në 8 ndeshjet e fundit”, u shpreh Alegri.
Por 49-vjeçari nuk ndalet me kaq. Ai ka argumentet e tij për të hedhur poshtë kritikat ndaj “El Pipitas”. “Te Juvja çdo tri ditë e gjejnë një problem. Në fillim thoshin se po luanim keq, ndërsa humbjen me Genoan e konsideruan si një tragjedi. Ne heshtëm, sepse humbëm, ndonëse ishim të parët në klasifikimin e përgjithshëm në kampionat dhe në Champions. Tani na del dhe çështja ‘Higuain’. Në sezonet e fundit ka mundur të shpallet golashënuesi më i mirë, por nuk e ka fituar kampionatin. Pra, më mirë le të mos shënojë si më parë, por ne ta fitojmë sërish titullin. Për paraqitjet e futbollistëve flasim më mirë rezultatet. Gjithsesi kritikat na bëjnë mirë, sepse na nxisin të punojmë më shumë”, tha trajneri i Juventusit.
Në fund trajneri i bardhezinjve vlerësoi edhe paraqitjen e Mandzikuc, që po i intepreton shumë mirë ndeshjet në të dyja fazat e lojës, ndërsa për Ruganin u shpreh se do të jetë një nga pikat më të forta të Juventusit, por edhe të përfaqësueses italiane në të ardhmen.

Exit mobile version