Higuain premton

E shkuara është një tokë e huaj për një lojtar si ai. Një profesionist si Gonzalo Higuain mendon vetëm për të tashmen dhe e tashmja për El Pipitan, mban emrin e Juventusit. Të shtunën bardhezinjtë sfidojnë Napolin në Torino, por edhe pse kaloi tri vite të karrierës së tij te skuadra e kaltër, bomberi argjentinas e konsideron Napolin si kundërshtarin e radhës. Higuain është gati për t’u përballuar me ish-skuadrën e tij dhe ka një objektiv të qartë: Dëshiron t’i shënojë një dygolësh Napolit. Për tifozët e kaltër, por edhe presidentin Aurelio de Laurentis 28-vjeçari është një tradhtar dhe fansave të Napolit sa herë që do t’u jepet rasti do ta vërshëllejnë me forcë El Pipitan.
Por ky fakt nuk e tremb Higuainin, i cili pasi lumturoi për 3 vite me golat e tij tifozët e klubit jugor, tashmë dëshiron të fitojë zemrat e fansave të Juventusit. I pyetur nga këta të fundit përpara seancës së radhës stërvitore, se a do t’i shënojë 2 gola ekipit të Sarrit, këtë të shtunë, Higuain u përgjigj: “Sigurisht shpresoj shumë të shënoj një dygolësh”.
Një sinjal mëse i qartë ky nga ana e argjentinasit se Napoli i përket së shkuarës, ndërsa Juvja është e tashmja dhe e ardhmja e tij. Por pavarësisht këtij premtimi që u ka bërë tifozëve të Juventusit, Higuain nuk po kalon momentin e tij më të mirë sepse në Serinë A nuk shënon prej 3 javësh, një thatësirë e gjatë kjo për një lojtar si ai. Mos ndoshta ka pritur ndeshjen ndaj Napolit për të shpërthyer? Kjo mbetet për t’u parë të shtunën në mbrëmje, ku në mungesë të liderit tjetër të sulmit Paulo Dybala, Juventusi ka vërtet nevojë për golat e tij.
Juventus u rikthye te fitorja pas humbjes para 4 ditësh me Milanin duke mposhtur 4-1 në shtëpi Sampdorian. Golat për ekipin e Alegrit u shënuan nga Manxukiç, Pjaniç dhe një dopietë e Kielinit. Pas 4 ndeshjeve pa fitore, nga të cilat 3 humbje radhazi, Interi arriti të mposhtë në shtëpi Torinon me shifrat 2-1 falë dopietës së Ikardit. Ndërkohë për Torinon shënoi sulmuesi i talentuar Beloti. Mbrojtësi shqiptar Arlind Ajeti nuk u preferua as këtë ndeshje nga trajneri Mihajloviç teksa e ndoqi gjithë takimin nga stoli.
Ndërkohë, Palermo nuk arrin dot të dalë nga zona e ftohtë e renditjes, pasi humbi 3-1 ndeshjen direkt me Udinesen të luajtur në Siçili. Në “Renzo Barbera” vendasit pësuan humbjen e 3-të radhazi pavarësisht se arritën të shënonin të parët në këtë sfidë, teksa në minutën e 10-të Nestorovski bëri gjithçka mirë në kontroll dhe finalizim duke i dhënë epërsinë të tijve.
Udinese megjithatë arriti të barazojë rezultatin përpara pushimit me të zakonshmin Thereau. Në pjesën e dytë ishin siçilianët që po luanin më mirë përpara se Fofana në të 74-tën me një goditje mjaft të bukur të gjente këndin e portës për epërsinë e Udineses. Në minutat e mbetura, Fofana ishte sërish protagonist duke vulosur dygolëshin personal në minutën e 79-të me një tjetër goditje nga distanca.

Exit mobile version