Higuain te Juventusi

Tashmë është zyrtare, Juventusi realizon goditjen e madhe në merkato dhe ajo mban emrin e Gonzalo Higuain. Sulmuesi është shndërruar në futbollistin më të ri të klubit bardhezi, pasi kampionët e Italisë kanë depozituar në Ligën italiane të Futbollit dokumentacionin se kanë paguar klauzolën e largimit të El Pipitas nga Napoli si dhe kontratën e futbollistit. Higuain, i cili përpara pak ditësh kaloi me sukses vizitat mjekësore ka firmosur një kontratë 4-vjeçare me bardhezinjtë nga e cila do të përfitojë 7,5 milionë euro në sezon. 90 milionë është shuma e përfituar nga Napoli për kartonin e lojtarit dhe jo 94,7 siç u përfol fillimisht, shifër të cilën Juventusi do ta paguajë në dy vite.
Transferimi i 28-vjeçarit te Juventusi është edhe blerja më e shtrenjtë e realizuar ndonjëherë nga një klub italian si dhe njëkohësisht goditja më e madhe e kësaj vere në merkato. Marrëveshja mes palëve ishte arritur prej kohësh, por mungonte vetëm zyrtarizmi, tashmë që edhe ai ka ardhur Gonzalo Higuain mund të nisë aventurën e tij të re te kampionët e Italisë. Me afrimin e golashënuesit më të mirë të Serisë A gjatë edicionit të kaluar, Juventusi vështirë se do të ketë rivalë në garën për titull edhe gjatë këtij sezoni. Ajo e Higuain është blerja e 5-të e bardhezinjve në këtë merkato pas Pjaniç, Dani Alves, Benatia dhe Marko Pjacas.
Fitorja e parë për Juventusin në turneun veror International Champions Cup vjen ndaj Tottenhamit. Në Melbourne të Australisë kampionët e Italisë triumfuan me rezultatin 2-1 ndaj skuadrës angleze, në një sfidë ku dy blerjet e reja të Juves, mesfushori Pjaniç dhe mbrojtësi Benatia lanë menjëherë shenjën e tyre, duke treguar sesa vlejnë. Në ndryshim nga ndeshja e parë ndaj Melbourne Victory trajneri i bardhezinjve Massimiliano Alegri e nisi sfidën me një formacion që kishte në përbërje më shumë futbollsitë të formacionit titullar. Te Tottenhami, ndërkohë mungesat ishin të shumta me repartin mbrojtës që përbëhej totalisht nga lojtarë të rinj në moshë.
Juventusit iu deshën shumë pak minuta për të zhbllokuar rezultatin dhe ishte Dybala, ai që realizoi. Sulmuesi argjentinas përfitoi një pasim perfekt i Pereyras që bëri gjithçka mirë mes mbrojtësve të Spurs-save, duke i serivur Dybalas golin e 1-0. Në minutën 15-të, Juventusi shënoi edhe të dytin dhe këtë herë ishte një gol i gatuar i gjithi nga dy blerjet e reja Pjaniç dhe Benatia. Një harkim i mrekullueshëm i mesfushorit boshnjak gjeti kokën e marokenit, i cili mposhti për herë të dytë portierin Vorm. Me këtë finalizim dy ish-lojtarët e Romës treguan sa kanë hyrë menjëherë në mekanizmat e lojës së këtij Juventusi. Në pjesën e dytë kishte vend edhe për golin e vetëm të Tottenhamit që u shënua nga Erik Lamela në të 67-ën.

Exit mobile version