HIJE SKANDALI/ Zhduken dosjet e 310 pasurive shtetërore të shitura

Sa më shumë të hapësh gropën e zezë të krimit financiar në institucionet qendrore të qeverisë, aq më shumë hajdutëri zbulohen; një ndër to, bërë me pasuritë shtetërore që ka shitur Ministria e Financave, kur kishte në përbërje dhe sektorin e ekonomisë.

Informacioni i ardhur në “Pamfleti”, bën me dije, se gjatë transferimit të dokumentacionit nga Ministria e Ekonomi- Financave, të Ministria e re Ekonomi-Kulturë-Inovacionit, janë konstatuar mungesë dosjesh të Drejtorisë së Administrim- Shitjes së Pasurive- Shtetërore.

Grupi i punës, që ka bërë inventarizimin për transferimin e dosjeve nga Ministria e Financave te Ministria e Ekonomisë, ka zbuluar se mungojnë dosjet e procedurave të shitjes së 310 pasurive, shumica toka, troje e komplekse objektesh.

Sipas ligjit, këto dosje përmbajnë urdhrat për nxjerrjet në ankande, procedurat e ankandeve, vlerat fillestare, subjektet që kanë marrë pjesë në ankande, me çfarë vlerash, vlerat e shitjes dhe fitimin e shtetit.

Bëhet fjalë, për pasuri të shitura gjatë viteve 2014-2023, për të cilat, sipas ligjit duhet te këtë dokumentacion të plotë në ruajte të përhershme, të arkivuar te arkiva qendrore, 10 vite pas mbajtjes në arkiven e institucionit përkatës.

Sipas informacionit, nga këto 310 dosje të pasurive të shitura që nuk u gjetën te Ministria e Financave por as te arkiva qendrore, 217 dosje i përkasin procedurave të ankandeve e shitjeve direkt, të kryera gjatë periudhës janar 2014-mars 2019, periudhë kur pasuritë nisën t’u jepeshin oligarkëve e miqve të qeveritarëve për “5 para”.

Gjatë kësaj periudhe, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Financave, ishte Geraldina Prodani (Duçka), me pozicion Nr.2 i ministrisë, që kishte kompetencë urdhrin për shpalljen e ankandeve, pasuritë që shiteshin, caktimin e vlerave fillestare, krijimin e komisionit të ankandeve, pranimin e ofertave dhe certifikimin e shitjeve.

Ndërsa Drejtor i Përgjithshëm i Administrim-Shitjes së Pronave Shtetërore në Ministrinë e Ekonomi-Financave, ishte Endrit Duçka, i cili, Sekretaren e Përgjithshme, Gelardina Prodani (Duçka) e ka kushërirë të parë dhe e kishte shefe.

Të dy kushërinjtë, vendosnin cilat pasuri do shisnin, me çfarë vlere do t’i nxirrnin në shitje dhe cilëve do t’ua jepnin; por pas një procesi rutinë transferimi të dokumenteve nga një ministri te tjetra, u zbulua se mungojnë dosjet 310 pasurive të shitura.

Për këto pasuri, ekziston vetëm një regjistër shitjesh, me përcaktimin e llojit të pasurive, sektorët që u përkisnin dhe rrethit e qytetit, por nuk ka dosje me dokument të sipërfaqes, kategorive të pasurive, vlerës së shit-blerjeve dhe arkëtimet në buxhetin e shtetit.

Saktësojmë, se Geraldina Prodani (Duçka) e Endrit Duçka janë kushërinj të parë me Dorian Duçkën e dosjes “Rama- Neza- McGonigal”, por dhe kushërinj të parë me Ilir Metën.

Gjithashtu, drejtori i shitjes së pasurive, Endrit Duçka, është dhëndër i Vilma Nushi; e cila, nëpërmjet ankandeve të tij, ka blerë shumë pasuri, dosjet e të cilave nuk janë gjetur në Ministrinë e Financave./Marrë nga “Pamfleti

Exit mobile version