Hijet e inceneratorëve në “goditjen” italiane ndaj Ramës

Në cunamin e madh të polemikave që shkaktoi dokumentari investigativ i Report në Rai 3, kaloi në heshtje një detaj ndoshta jo pa rëndësi. Shpesh djalli qëndron në detaje thonë dhe me sa duket as këtë herë nuk ishte ndryshe.

Dy ditë pas transmetimit të emisionit, në kulmin e replikave me Edi Ramën, redaksia e Report publikoi përgjigjet me shkrim të sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Por ndryshe nga sa pritej pjesa më e interesante e komunikimit mes gazetarëve të Rai dhe sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë nuk ishin përgjigjet e këtij të fundit, por pyetjet e të parëve.

Në listën më 4 pyetje binte në sy veçanërisht njëra, ku përmendeshin emrat e 4 shtetasve shqiptarë të dyshuar si të përfshirë në trafik droge dhe që mendohet se janë asistuar nga zoti Agaçi, gjatë kohës që ai punonte si avokat në Itali. Më konkretisht pyetja e gazetarëve për zotin Agaçi ishte kjo; A keni ofruar asistencë ligjore dhe/ose këshilla për Renardo Nallbanin, Alxi Nallbani, Dritan Nikolli dhe Artur Shehu?

Lidhja e Engjëll Agaçit me Artur Shehun ishte pjesë thelbësore e raportit investigativ të Report, ndaj pyetja e gazetarëve për këtë emër ishte plotësisht e natyrshme. Por interesant janë tre emrat e tjerë, veçanërisht ai në krye të listës.

Renardo Nallbani nuk është një emër i panjohur për publikun në Shqipëri. Ai ka qenë një nga drejtuesit e biznesit të inceneratorëve, në të tre veprat. Madje nën zë shpesh thuhej se biznesi i dherave të inceneratorit fillimisht drejtohej pikërisht nga Nallbani, edhe pse më vonë në të u përfshinë drejtëpërdrejtë zyrtarë të shtetit e madje edhe njerëz të letrave.

Në këtë pikë lind një pikëpyetje e madhe. Në listën e dhjetra klientëve që zoti Agaçi mund të ketë asistuar gjatë kohës që punonte si avokat në Itali, a është zgjedhja e emrit të Rendardo Nallbanit thjesht një rastësi? Apo është rezultat i luftës në Tiranë?

Para dy ditësh një koleg me burime të forta brenda maxhorancës shkruante në editorialin hapës të emisionit të tij se dosja italiane kundër Edi Ramës u përgatit poshtë ballkonit të Sali Berishës dhe në një zyrë brenda oborrit të madh të maxhorancës. E nëse oborri i maxhorancës është më të vërtetë i madh, zyrat brenda saj që kanë fuqinë të lëshojnë goditje të tilla kundër Edi Ramës janë shumë të pakta.

Pra, kjo është një histori me shumë rastësi brenda. Por të cilat duket se takohen të gjitha në një pikë; lufta brenda llojit që ka përfshirë maxhorancën. Ajo luftë që nisi për inceneratorët dhe me sa duket vazhdon po aty. Vetëm me një ndryshim. Tani po luftohet kudo, edhe jashtë Shqipërisë./ Kapitali.al

Exit mobile version