Nga Preç Zogaj
Në politikë veprojnë ligjësi kundërthënëse. Ndodh shpesh që sa më shumë të kërkosh t’i fshehësh qëllimet, aq më shumë i shfaq ato.
Nga kërcënimet me ton kundër “Republikës së Prokurorëve” në muajin dhjetor të vitit të shkuar deri te vendimi për ngritjen e superkomisionit parlamentar dy ditë më parë, kryeministri Rama dhe të tijtë, duke u gjendur në lupën dhe ciklonin e reagimeve popullore, kanë bërë kujdes të evitojnë shprehjet e gjuhës ku dhëmb dhëmbi, domethënë të kundërvënies ndaj SPAK-ut. Në të kundërtën, si të donin të mbulonin me grim një dregzë në ballë, po përsërisin papushim se SPAK nuk preket. A thua se kjo është diçka fakultative: po të duan e prekin, por nuk e kanë ndërmend!
Çështjet që liston vendimi për ngritjen e superkomisonit janë në tagrin e detyrave organike të komisioneve të përhershme të Kuvendit. Të cilët superkomisoni i sheh nga lart, i dublon, i eklipson. Gjithnjë nëse do të plotësohet e funksionojë me mendjen e atyre që e kanë konceptuar.
Superkomisioni nuk ka asgjë të përbashkët me komisionet e posaçme për reforma të caktuara gjithëpërfshirëse, që janë ngritur herë pas herë në Kuvendin e Shqipërisë. Siç ka qenë, fjala vjen, komisioni për Reformën në Drejtësi, komisioni për Reformën Administrative, apo komisionet për Reformën Zgjedhore. Jo, nuk shihet të ketë një çështje madhore të veçantë të kësaj natyre që të përligjë ngritjen e tij. Nuk shihet të ketë një reformë konkrete të adresuar, të cilën ta sponsorizojnë me impenjim të drejtpërdrejtë partnerët amerikanë dhe europianë, siç ishte Ligji për Dekriminalizimin apo Reforma në Drejtësi.
Rekomandimet e BE-së për Shqipërinë i përgjigjen një dinamike të përparimit hap pas hapi të vendit në rrugën e integrimit. Fare mirë ato mund të gjejnë zbatim në kornizën e komisionit të integrimit europian, të komisionit të ligjeve e tjerë, sipas fushave.
Superkomisioni ngrihet në vitin e fundit të legjislaturës kur partitë fillojnë e zbresin në fushatë dhe kur për rrjedhim nismat bipartizane kalojnë në parim, në plan të dytë.
Mandati i superkomisionit me prerogativat e një miniasambleje ligjvënëse të pavotuar si të tillë, shtrihet përtej legjislaturës në vazhdim, një gjë që nuk e kemi ndeshur ndonjëherë.
Në lidhjen e tyre këto elementë “të çuditshëm” kërkojnë t’u përcjellin prokurorëve dhe gjyqtarëve guximtarë, por edhe qytetarëve që dëshirojnë një nisje të re të demokracisë, mesazhin e vazhdimësisë “ne do të jemi këtu, në krye për vite e vite” të kastës së vjetër, të stërkonsumuar politikisht dhe të tronditur nga hetimet penale. Me fjalë të tjera të promovojnë pandryeshmërinë dhe të dekurajojnë partitë dhe elektoratin antiestablishment.
Në këto kushte, në versionin e plotësimit dhe funksionimit me deputetë të opozitës, superkomisioni është parasëgjithash makiazhi bipartizan që kryeministri dëshiron t’i bëjë qeverisjes së damkosur nga korrupsioni kapilar në epilogun e mandatit të tij të tretë në krye të qeverisjes. Njëherësh, është figura e Gogolit që kasta kërkon t’u tundë prokurorëve dhe gjykatësve që çojnë lighin në tokën deri dje të pashkelur të sferave të larta.
E gjithë kjo duke futur në algoritmin e nismës hallin e kreut të Rithemelimit, Sali Berisha, armiqësinë e tij kundër SPAK dhe duke shpresuar se ish-kryeministri do ta shohë të leverdisshme ta mbeshtesë, në mos jo që në krye të herës, përgjatë rrugës. Në mos për të ndaluar e trembur SPAK, që mbetet një kockë e fortë me mbështetje amerikane, për të zbutur a shbërë me shumicë të cilësuar leqe ligjore të rrezikshme. Siç është përshembull dispozita e shpërdorimit të detyrës për të cilën po hetohet zoti Berisha. Shpërdorimi i detyrës si vepër penale është në shënjestër. Për këtë është ngritur edhe alarmi i rremë se zyrtarët nuk po firmosin dhe puna në institucione është bllokuar. Pikërisht për të ligjëruar shpërdorimin e detyrës.
Kjo është Rrezoluta.
Ky është Komisioni.
Një ofertë këmbëngulëse dhe kushtëzuese për suksesin e saj drejtuar Rithemelimit pikë së pari. Por edhe partive të tjera opozitare.
Pa grupet opozitare superkomisoni është i vdekur.
Në fakt, Rama me të tijtë janë të sinqertë. E dinë çfarë ofrojnë për palën tjetër mes rreshtave dhe përtej fjalëve të bukura. Ofrojnë atë që duan për vete. Ata janë të kërcënuar për vete nga dispozita e shpërdorimit të detyrës. Më së paku. Pra kanë hallin e tyre. A ka garanci më të madhe se kjo se sa seriozisht e kanë?
Të gjithë e kanë marrë vesh se ku fle lepuri me superkomisonin. Edhe partnerët. Edhe Berisha e di shumë mirë. I kupton dhe i dallon shumë mirë sinjalet në eter të pasardhësit të tij, në krye të qeverisë për të shpëtuar së bashku, për të fituar së bashku. Por ka mbyllur veshët përkundrejt këtyre sirenave. E ka denoncuar.
Vetëdija për çfarë kë bërë e frenon ndoshta të shpëtojë gjithë një bandë për të shpëtuar veten dhe të tjerë si vetja.
Nuk është as i sgurt se mund t’ja dalin. Ka forca madhore në skenë që nuk lejojnë kthimin prapa, nuk lejojnë të marrë ujë pandëshkueshmëria në veprim. Pra, mbështetja eventuale për Komisionin duke ua lenë fjala vjen iniciativën deputetëve të bashkimit në diversitet mund t’i shkojë me dëm, për rrjedhim me turp.
Përparësi, më saktë emergjencë e opozitës sot është organizimi rreth një projekti për fitoren, duke bërë sakrificat e duhura dhe duke ndjekur zërat e arsyeshëm që hapin rrugën. Sirenat e Ramës nuk i vlejnë për asgjë. Përzierja e ujërave me qeverinë në orën e llogaridhënies së qeverisë para zgjedhësve, dhe me keq akoma, në eventualitetin e tronditjeve që mund të sjellë mbyllja e rubinetave të pastrimit të parave nga agjencitë ndërkombëtare që veprojnë edhe në Shqipëri, do të ishte naivitet dhe vetvrasje për opozitën. Të shohim a do të qëndrojnë deri në fund të gjithë. Në të vërtetë, në pikën ku ka mbërritur, Sali Berisha, po të jetë i pafajshëm, duhet ta zhvillojë betejën për akuzën që i është bërë aty ku është vendi i betejave ligjore: në sallën e gjyqit. Jashtë saj as Berisha, as Rithemelimi që drejton nuk fitojnë asgjë./ Liberale.al