Hipokrizia e Berishës për rrugën Thumanë-Kashar

Nga Namir Lapardhaja

Për më shumë se tetë muaj, Sali Berisha dhe ndjekësit e tij kanë qëndruar në heshtje për projektin e rrugës Thumanë-Kashar, një projekt që përfshin miliona euro dhe ka ngjallur shumë debate publike, për shkak të izolimit total të mijëra banorëve dhe bizneseve në zonën e Krujës dhe të Fushë Krujës.

Ai që flet për gjithçka, çuditërisht nuk shihte problemin dhe protestat e atyre njerëzve.

Megjithatë, papritmas Berisha dhe njerëzit e tij duket se janë zgjuar nga gjumi i heshtjes.

Reagimi tani është si ‘pas pilafit’, për shkak se nuk ka pasur asnjë përpjekje kur duhej dhe kur ishte mundësia reale për të ndryshuar diçka.

Një nga arsyet kryesore pse Berisha dhe njerëzit e tij heshtën kaq gjatë lidhet faktin se investitori i kësaj rruge, Bashkim Ulaj, është një ndër oligarkët që ka lidhje të ngushta me Berishën dhe Ramën njëkohësisht.

Ulaj, së bashku me emra të tjerë të mëdhenj si Mane dhe Kastrati, janë individë që u fuqizuan pikërisht gjatë periudhës së Berishës dhe vazhduan të rriten ekonomikisht edhe më shumë gjatë qeverisjes së Edi Ramës.
Në thelb, këta oligarkë janë ortakë të përbashkët të të dyja palëve politike, duke krijuar një rrjet të fuqishëm ekonomik që mbështet politikën në Shqipëri, duke mos lejuar ndryshimin e status quos dhe duke mbajtur peng shqiptarët në një klasë politike thellësisht të korruptuar, pa lejuar asnjë alternativë apo faktor tjetër të rritet jashtë influencës së tyre.

Berisha bën sikur është në luftë me Ramën, por në realitet ata ndajnë të njëjtët aleatë dhe interesa të ngushta financiare. Përpjekjet e tij për të sulmuar projektin e rrugës Thumanë-Kashar nuk janë asgjë më shumë sesa një tentativë për të manipuluar publikun, ndërkohë që vazhdon të mbështesë në hije oligarkinë, e cila, nga ana tjetër, e mbështet ekonomikisht dhe mediatikisht, për të qëndruar fort në lojë, rezultati i së cilës dihet se si do përfundojë në 2025, mirëpo Berishës as që i duhet, sepse atij i intereson “pjesëmarrja” dhe jo fitorja.

Në të vërtetë, opozita e Berishës nuk është asgjë më shumë se një fasadë, një lojë e trilluar për të ruajtur pushtetin e tij politik dhe lidhjet e tij të ngushta me oligarkët. Pa këtë mbështetje financiare dhe pa këta ortakë të fuqishëm ekonomikë, Berisha do të kishte marrë fund politikisht prej kohësh.

Vlen të përmendet qëndresa dhe përpjekja e vazhueshme e deputeteve Merita Bakiu dhe Andia Ulliri, së bashku me Kryetarin e PD – Demokratët Euroatlantikë në Krujë, Sabah Sheta, të cilët për muaj të tëra kanë qenë jo vetëm pranë banorëve të kësaj zone, por deputetet në fjalë kanë bërë akte konkrete dhe veprime që mund t’u vinin në ndihmë banorëve, nëse qeveria do të kishte vullnetin e duhur për t’i dhënë zgjidhje.

Artikulli paraprakEMRI/ I pandehur për mashtrimet përmes call center, arrestohet shqiptari në Dubai
Artikulli tjetërAbuzimi me fondet e Bashkimit Evropian, SPAK vendos nën sekuestro llogaritë bankare me mijëra euro e dollarë