Nga Agim Baçi
Edi Rama tregoi të dielën në Athinë, në takim me diasporën, se është i gatshëm të përdorë këdo dhe me çdo lloj çmimi për të qëndruar në pushtet.
Ka jo pak nga ata qënë Tiranë u mallëngjyen me fjalimin e tij që “ua numëroi grekërve” problemet mes dy vendeve. Janë pikërisht këta të mallëngjyer edhe përhapësit më të mëdhenj të mëkateve.
Duhet ta pohojmë se nuk është i pari Rama që përdor patriotizmin. E kanë përdorur dhe të tjerë përpara tij. Por takimi në Athinë kishte disa hipokrizi, së pari me bashkëkombasit, dhe së dyti me fqinjët.
Me bashkëkombësit Rama është i pavërtetë, pasi ai e hoqi Ministrinë e Diasporës dhe njëkohësisht po ua vështirëson atyre votimin, që ka pak mundësi të ndodhë më 2025, edhe pse është detyrim kushtetues. Njëkohësisht, ai duhet t’u kërkojë ndjesë për sorollatjen që pësojnë shumica e tyre kur duan të hapin një biznes, kur duan të marrin një leje apo të tërheqin dokumente kur vijnë në atfhe. Fakti se u bëri koncert tërheqës në stadium nuk i zhbën këto të vërteta.
Dhe, së dyti, ai i përdori përfaqësuesit e diasporës për çështje që kanë të bëjnë me shtetin grek, si çështja Çame apo Ligji i Luftës, çështje që ngrihen mes homologëve. Pra, Rama duhet t’ia thotë Mitsotaqisit dhe jo diasporës, të cilët bashkëjetojnë prej më shumë se 3 dekada me grekët dhe jetojnë, punojnë, paguajnë taksa e votojnë atje.
Mallëngjimi patriotik ndaj fjalimit të Ramës në Tiranë është vijim i kësaj hipokrizie, që me shumë gjasë do rëndojë në jetët e shqiptarëve atje, të cilët, pas koncertit të së dielës janë kthyer në përditshmërinë e tyre, por me peshën e qëndrimeve politike që s’mund t’i mbajnë përballë fqinjëve grekë, të cilët bashkëjetojnë me bashkëkombasit tanë.
…
Shqiptarët për shumë vite në diktaturë, shihnin një pikturë të diktatorit Hoxha në mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë, në vitin 1961, ku u ngrinte gishtin të pranishmëve. Një gisht që për fat të keq pati rol për vite e vite vetëm në trupin e shqiptarëve dhe te askush tjetër.
Nuk është faji vetëm i Ramës që historia… përsëritet…