Skënderbeu fajtor për influencim ndeshjesh, shpëton Europën, por humbet një titull. Është ky verdikti i Komisionit të Etikës që njëherazi ka dhënë edhe vendimin për çështjen më të nxehtë të futbollit shqiptar në këto dy dekadat e fundit. Skënderbeu humbet titullin kampion të sezonit 2016, ndëshkohet me një gjobë financiare prej 2 milionë lekësh të reja, si dhe i zbriten minus 12 pikë nga sezoni që sapo u mbyll. Është ky vendimi i marrë nga Komisioni i Etikës pas një procesi të gjatë hetimi në lidhje me çështjen Skënderbeu, ku natyrisht më i rëndësishëm është fakti se Skënderbeu gjykohet fajtor edhe nga drejtësia sportive në vend pas dënimit që mori nga UEFA verën e kaluar me përjashtimin për një vit nga kompeticionet europiane. Gjithsesi ndryshe nga UEFA që kishte shtrirë numrin e ndeshjeve të trukuara në një hark më të gjatë kohor, Etika e “deklaron Skënderbeun fajtor për komplotim në influencimin e rezultateve të ndeshjeve në kundërshtim me etikën sportive për sezonin 2015-2016”.
Ndër dënimet e dhëna natyrisht ai që djeg më shumë për klubin korçar është padyshim heqja e titullit kampion për sezonin e kaluar, me numrin e trofeve të klubit korçar që zyrtarisht zbret nga 7 në 6. Vlen të theksohet se kjo është hera e parë historike për futbollin shqiptar që një klubi i hiqet titulli kampion. Trukimi i ndeshjeve mbetet një njollë e rëndë për sa i përket historisë së Skënderbeut. Përtej masës së ndëshkimit financiar me shumën e 2 milionë lekëve të reja, Skënderbeu nuk preket aspak praktikisht nga zbritja e 12 pikëve për sezonin e kaluar për faktin e thjeshtë se kjo shifër nuk ndryshon renditjen përfundimtare të kampionatit.
Kështu Skënderbeu që e mbylli kampionatin në vendin e tretë me 72 pikë, po aq sa Partizani edhe me zbritjen e 12 pikëve shkon në kuotën e 60 pikëve, duke lënë pas gjithsesi Luftëtarin e vendit të katërt. Një detaj i rëndësisë maksimale ky që i garanton Skënderbeut pjesëmarrjen në eliminatoret e Europa League ku është shortuar me ekipin nga Andorra Sant Julia. Me këtë vendim, marrin fund përfundimisht edhe shpresat e Luftëtarit për kapjen e një vendi në kompeticionet europiane, por edhe ato të Tiranës. Bardheblutë në rast të një dënimi të Skënderbeut me zbritjen nga Kategoria me zerimin e pikëve për sezonin e kaluar do të mund të luanin sërish vitin e ardhshëm në Kategorinë Superiore. Tirana mbetet mes inferiorëve, verdikti tanimë është përfundimtar.
Skënderbeu reagon: Akt i paprecedent
Menjëherë pas vendimit të Etikës, ekipi korçar ka bërë publike një komunikatë si reagim për heqjen e titullit. Klubi i Futbollit Skënderbeu bën me dije tifozerinë korçare dhe opinionin sportiv se, menjëherë pas vendimmarrjes së Komisionit të Etikës të FSHF, është kërkuar zyrtarisht argumentimi i vendimit, si hapi procedurial paraprak për ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS-TAS).
Vendimi i ditës së djeshme nga ky pseudoorgan juridik është një akt i paprecedent, i denjë për katedrat e universiteteve të drejtësisë. Vetëm një organ i FSHF mund të transformonte një vendim administrativ në një vendim disiplinor, pa pasur qoftë edhe një provë të vetme të drejtpërdrejtë apo indirekte mbi të akuzuarin. Vetëm një organ i FSHF mund të procedonte ndaj një subjekti pa i komunikuar atij akuzën, provat mbi të cilat ajo mbështetej apo subjektin akuzues. Vetëm Komisioni i Etikës i Federatës shqiptare të krimit në sportin e futbollit mund të jepte një vendim ku vërtetësia e fakteve nuk ka asnjë relevancë.
Klubi i Futbollit Skënderbeu siguron tifozërinë korçare se ky cenim dhe kërcënim që na është bërë dje nga ana e Komisionit të Etikës, veçanërisht me heqjen e një titulli kampion, të cilën vetë UEFA e ka konsideruar mëse të merituar, do të ankimohet në çdo germë të tij, pasi jemi të sigurt në pafajësinë tonë të pakundërshtueshme. Falënderojmë sportdashësit dhe komunitetin, të cilin e kemi përfaqësuar denjësisht gjatë kësaj dekade për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar. Të sigurt, vazhdojmë përpara për të rishkruar çdo vit historinë e futbollit shqiptar!