Histeri sulmesh kundër Presidentit Donald Trump

Ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller u emërua prokuror i posaçëm për të mbikëqyrur hetimin për ndërhyrje të mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. Kjo vjen pas një jave të mbushur me skandale që kanë përfshirë administratën e presidentit Donald Trump.
Ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller do të drejtojë hetimin lidhur me bashkëpunimin e mundshëm mes Moskës dhe ekipit të këshilltarëve të fushatës presidenciale të Donald Trumpit.
Vendimi u mor të mërkurën në mbrëmje nga zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, që qëndruan në heshtje gjatë pjesës më të madhe të ditës, lëshuan një deklaratë nga zoti Trump ku thuhet përsëri se, “nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë mes fushatës dhe ndonjë entiteti të huaj”.
Shtëpia e Bardhë ka qenë në një gjendje të vështirë pas një lajmi javën e kaluar, sipas të cilit zoti Trump i kishte kërkuar ish-drejtorit të FBI-së, James Comey të mbyllte hetimin lidhur me ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Flynn.
Ky njoftim ngriti shqetësime të reja se zoti Trump po përpiqej të pengonte hetimin e FBI-së lidhur me bashkëpunimin e mundshëm mes fushatës së tij dhe Rusisë.
Pjesa më e madhe e ligjvënësve në Kongres e mirëpritën emërimin e prokurorit të posaçëm. Ka shumë shpresa se zoti Mueller, një ish-prokuror, do të rivendosë integritetin e këtij hetimi, thotë analisti republikan Evan Siegfried.
“Robert Mueller është tërësisht i pavarur nga Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja. Ai ka buxhetin e vet; mund të punësojë vetë personelin e tij dhe mund të mos e marrë fare parasysh punën e deritanishme për këtë çështje nga FBI-ja. Ai ka lirinë të veprojë, sipas pushtetit që i ka dhënë zëvendësprokurori i Përgjithshëm, aty ku e çon hetimi”, thotë analisti.
Një tjetër moment që mund të jetë i bujshëm, ka mundësi të vijë javën e ardhshme, pasi ish-drejtori i FBI-së Comey është ftuar të dëshmojë para një sesioni të hapur në Kongres.
“Duke shënuar 100 ditët e para në detyrë, presidenti Trump tha se askush nuk kishte parë një gjë të tillë. Ai e kishte fjalën në aspektin pozitiv, për punën e mirë të bërë nga administrata e tij. Por me thënë të drejtën, nuk kemi parë asnjëherë një administratë si kjo. Asnjë administratë, në ditën e 118 tani, nuk ka parë këtë nivel të tillë skandalesh dhe problemesh”, thotë analisti.

“Ne presim që ta tejkalojmë këtë situatë”

Donald Trump filloi të premten udhëtimin e parë jashtë vendit që kur u zgjodh në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, duke e lënë Shtëpinë e Bardhë të zhytur në një sërë kundërthëniesh, që kanë nxitur disa politikanë të bëjnë një krahasim me skandalin Watergate, që çoi në rrëzimin e presidentit Richard Nixon.
“Ne presim që ta tejkalojmë këtë situatë”, u tha gazetarëve të enjten presidenti Trump.
Kundërthëniet përfshijnë përjashtimin e ish-shefit të FBI-së, James Comey, në mes të pretendimeve se presidenti Trump kërkonte që Comey të ndërpresë hetimet ndaj ish-këshilltarit për siguri kombëtare, Michael Flynn.
Presidenti po përballet po ashtu me pikëpyetjet rreth lidhjeve të tij me Rusinë gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale dhe pretendimeve se ai i ka zbuluar materiale të fshehta ministrit të Jashtëm rus gjatë një takimi në zyrën ovale.
Vizita e tij jashtë vendit përfshin ndalesat në Arabinë Saudite, Izrael dhe Vatikan, vende të shenjta për të tri fetë më të mëdha të botës.
Në Arabinë Saudite, presidenti Trump, që kishte folur hapur për mosbesim ndaj myslimanëve dhe kishte bërë përpjekje të ndalojë hyrjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, do të mbajë fjalim për islamin para një grupi të udhëheqësve myslimanë.
H.R. McMaster, këshilltar i sigurisë kombëtare, tha se presidenti ka shpresë për shfaqjen e një vizioni paqësor të islamit.
Kundërthëniet përcjellin edhe vizitën e presidentit në Izrael, pas pretendimeve se ai u kishte dhënë zyrtarëve rusë të dhëna të shërbimeve izraelite të zbulimit.
Presidenti amerikan do të shkojë edhe në Vatikan për të takuar Papa Françeskun dhe më pastaj do të shkojë në Bruksel për të takuar vendet anëtare të NATO-s, para se t’i japë fund udhëtimit të tij në qytetin siçilian Taormina për takimin e G7-ës.

Exit mobile version