Nga RedVARAKU
Histeria që shpërtheu në mënyrë të sinkronizuar kundër Opozitës ditën kur u sulmuan barbarisht banorët e Astirit, edhe kësaj rradhe shpërtheu nga të njëjtët mercenarë. Ishin po ata që nuk lënë rast pa e sulmuar Opozitën për çdo qëndrim të saj, nga karrige zyrash të pushtetit, apo tavolina luksoze restorantesh dhe kafenesh. Edhe Dhjetorin e shkuar ishin të njëjtët mercenarë, që e sulmuan Opozitën paburrërisht gjatë protestave studentore, duke e akuzuar liderin e saj se kishte marrëveshje me kryeministrin.
Por, kur Opozita doli në rrugë në shkurt dhe dogji mandatet, ku u bë e qartë për të gjithë se nuk ka asnjë marrëveshje, sërish ishin të njëjtët që nisën menjëherë ankesat për strategjinë e ndjekur prej saj. Ndërkohë, ishin po këta individë, që nuk dolën asnjë ditë në protestë, dhe ishin po këta që nuk reshtnin së sulmuari Opozitën nga frëngjitë e tyre, për djegjen e mandateve apo për refuzimin e një marrëveshjeje për zgjedhjet lokale.
Ironikisht, këta që thërrisnin për përmbysje me dhunë në Dhjetor, ishin po ata që kërkonin protesta paqësore dhe qytetare në shkurt. Paradoksalisht, kur kryeministri vendosi të hynte në zgjedhje pa Opozitën në 30 Qershor, sërish këta ‘qytetarët paqësorë’ u shndërruan në rebelë , që kërkonin dhunë, gjakderdhje deri edhe viktima.
Janë po këta mercenarë që e kanë akuzuar Opozitën kur bëri marrëveshje me banorët e Astirit, si një përpjekje për të përfituar aksione politike nga vuajtjet e këtyre njerëzve, dhe janë sërish po këta që e akuzojnë Opozitën, se pse nuk u bë pjesë e skenarit të mazhorancës për të shkaktuar gjakderdhje deri edhe viktima.
Pra, çfarëdo që të bëjë Opozita këta individë do t’i këtë gjithmonë kundër. Të mos jesh dakort me vendimet e Opozitës, kjo nuk e dëmton Opozitën. Por, të sulmosh Opozitën me të njëjtën gjuhë që e sulmon qeveria, me qëllim delegjitimimin e aksionit të saj, kjo do të thotë që je rreshtuar me qeverinë më të korruptuar të historisë shqiptare kundër Opozitës. Kjo kështu është dhe kështu ka qenë.
Opozita ka strategjinë e saj të cilën po e zbaton me përpikmëri që prej shkurtit. Ajo nuk duhet të bjerë prè e skenareve të mazhorancës për të shkaktuar viktima. Ajo nuk ka pse kompleksohet nga armata e sponsorizuar e ‘të paanshmëve’, që e kanë monopolizuar dashurinë për kombin. Opozita ka bërë dhe po bën një ndër betejat më të mëdha që është bërë ndonjëherë nga një Opozitë, që prej 1990, sepse ka përballë një makineri të bërë njësh me krimin.
Për këtë ajo ka ndërmarrë dy nga aktet më të forta të ndodhura ndonjëherë, atë të djegjes së mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale. Të dy aktet janë dëshmi e refuzimit kategorik të një marrëveshjeje me pushtetin , si ai i vitit 2013, pasojat e të cilit po i vuajmë sot. Ata që nuk e kanë kuptuar këtë dhe kanë akoma dyshime janë vetëm naivët dhe armata e mercenarëve të individëve ‘të paanshëm’ të sponsorizuar rëndë nga mazhoranca dhe askush tjetër.