Histori dhe rrëfim: Anestezia retorike e Berishës për mbështetësit e tij

Historitë – thotë psikologu social Karl Weick – lejojnë që qartësia e arritur në një zonë të kufizuar të shtrihet dhe mbivendoset në zona të tjera më pak të qarta. Përdorimi i rrëfimit në luftën politike mes PD dhe Berishës është dukshëm një përpjekje për të përdorur qartësinë e një historie për të shpjeguar apo censuruar zona të tjera më pak të qarta.
Për të mos rënë pre e kurtheve retorike, njeriu i zakonshëm bën disa pyetje: kush po e rrëfen historinë? Si është i lidhur rrëfimi me interesat dhe lojën për pushtet? Çfarë lihet mënjanë apo zvogëlohet në këtë rrëfim?
Një studiues i narratologjisë i gjysmës së parë të shek. 20, Viktor Shklovksi e ka shpjeguar kështu përpjekjen e rrëfyesve [edhe politikë]: një rrëfyes i efektshëm është ai që ia del të korrë dy rezultate themelore: besueshmërinë e rrëfimit dhe origjinalitetin.
Në shumicën e akuzave që ka hedhur Berisha ndaj PD dhe Lulzim Bashës, zor se gjen ndonjë gjë origjinale. Skenarët konspirativë të Xhorxh Sorosit, Edi Ramës dhe luftës ndaj liderve konservatorë janë konsumuar prej kohësh nga proxy-t e Berishës në sferën publike. Akuzat për bashkëpunim me Ramën apo për përdorim të opozitës si mjet për të bërë biznes janë bërë prej vitesh nga ish-bashkëpunëtorët e Berishës që krijuan partitë e tyre pas vitit 2017.
Për të ndërtuar besueshmëri, Berisha ka thirrur në ndihmë ngjarje të vërteta të cilat i instrumentalizon për të rrëzuar barrierat e skepticizmit tek audienca dhe për t’u servirur më pas thelbin e tezave të tij. Për shembull, ai u thotë ndjekësve të tij se qëndrimi i tij kundër shkëmbimit të territoreve dhe reformës në drejtësi nxiti hakmarrjen e Xhorxh Sorosit që është sponsor i këtyre projekteve, prandajai u shpall non-grata.
Po edhe Ramush Haradinaj apo Albin Kurti e kundërshtuan shkëmbimin e territoreve. Pse ata nuk u shpallën non-grata? Pse Thaçi, që ishte sponsor kryesor i kësaj ideje në Kosovë, u arrestua dhe po gjykohet në Hagë? Ai e di që mbështetësit e tij nuk do të jenë në gjendje të mendojnë më tej dhe në mënyrë skeptike pasi ai u ka përmendur një episod të vërtetë: faktin që Berisha ishte kundër shkëmbimit të territoreve.
Projektin prigjinal të reformës në drejtësi e kundërshtoi edhe Lulzim Basha, madje ai ka marrë kritika dhe akuza nga ambasadori Lu si pengues i reformës. Por ShBA zgjodhën ta mbështesin atë dhe ta ndihmojnë të reformojë opozitën.
Një përpjekje tjetër e Berishës në këto 5 muaj ka qenë shndërrimi në domen qëndror i çështjeve të organizimit dhe drejtimit të Partisë Demokratike dhe largimi nga fokusi i problemit të tij me statusin non-grata në ShBA dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve në luftën ndaj tij.
Narratologu Wallace Martin e ka përshkruar këtë dukuri si përpjekje për të ndryshuar definicionin e gjërave. Duke ndryshuar definicionin e asaj që vrojtojmë – thotë ai – ne. ndryshojmë vetë atë që vrojtojmë.
Kur përkufizime të ndryshme përdoren për të skicuar të njëjtin territor, rezultatet do të dallojnë nga njëri-tjetri njëlloj siç dallojnë hartat topogragike, politike dhe demografike, ku secila syresh zbulon një aspekt të realitetit falë injorimit të aspekteve të tjerë.
Në 5 muaj, Berisha është orvatur t’u hedhë hi syve demokratëve për çështjen e tij reale dhe të ndezë mes tyre konflikte për motive që nuk kanë gjetur asnjëherë trajtim në PD. Demokracia e brendshme, kolegjialiteti apo sovraniteti nuk kanë qenë asnjëherë temë politike në PD në asnjë moment të historisë së saj.
Demokratëve u duhet bërë e qartë se lufta reale e Sali Berishës bëhet për të shpëtuar nga statusi non-grata në SHBA, jo demokratizimi i PD. Ai nuk ka lënë rast pa i kërkuar ShBA-ve të tërheqë vendimin. Po të ishte demokratizimi, nuk do të kishte pritur 9 shtatorin për të nisur luftën ndaj Lulzim Bashës për mënyrën e drejtimit të PD në 8 vitet e fundit.
Historitë dhe rrëfimet selektive të Berishës të interpretuara sipas interesit të tij personal në këtë moment, duhen njohur si anestezi për mendjet e demokratëve dhe si të tilla duhen injoruar.
Exit mobile version