Mimoza Leskaj
Dje ishte 5 Maji!
Për gjysmën e shqiptarëve përkujtohet dita e dëshmorëve, gjysma tjetër vuan akoma për dëshmorët e krijuar nga gjysma tjetër që përkujton.
Duket lojë fjalësh, por jo vetëm nuk është, përkundrazi është një mallkim i rëndë që mbajmë në supet tona. Lexova dje me vëmendje të dy palët, se helbete nëpërmjet Facebook kemi miq të dy palëve dhe s’mundemi kurrsesi të mendojmë njëlloj.
Personalisht nuk kam përkujtuar kurrë 5 Majin dhe askush nuk më detyron ta bëj. Natyrisht as nuk më bëjnë duart t’u përkushtoj vargje siç bënë disa nga miqtë e mi poetë. Dhe arsyet janë të shumta, por në njerëzoren që mbaj brenda vetes nga edukimi që më kanë dhënë, para atyre që nuk më përgjigjen dot, sepse nuk janë më, jam mësuar të hesht, ndaj ky status është për të gjallët që lanë pas dhe e katandisën këtë popull të ndarë përgjysëm!
Po jap shembull konkret për kujtesë: Djegien e shtëpive të dy prindërve të mi e bënë partizanët! Plaçkitjen në mënyrë barbare e bënë partizanët! Burgimet dhe internimet i bënë po ata, pas të ashtuquajturit fitore pas lufte!
Të drejtën për të jetuar dhe arsimuar si njerëz, po ata na e hoqën! Pra, një jetë mes persekutimesh dhe terrori varfërie ekonomike dhe psikologjike të bërë po nga ata, të cilët mbajnë të njëjtin emër që mbaj unë, ti, ne, o SHQIPTARË!
Mund të mar përgjigje nga çdokush – dhanë jetën për liri! Për cilën liri? Shumë flasin: pse nuk kërkuat falje?! Unë faljen nuk e konceptoj dot me fjalë, por me vepra, ku të vihet në vend dinjiteti kombëtar për këta të rënë të gjysmës që ju i masakruat!
Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për Shqipërinë!
Histori e ngatërruar kjo e jona, derisa të dalin shqiptarë të vërtetë dhe të denjë t’i nderojnë emrin!
Peskara, Itali