Kryeministri Rama një vit më parë udhëtoi në drejtim të Kuvajtit si një sekser i lobistit të tij, Tony Blair. Rama mori nga qeveria kuvajtiane 5 milionë euro për pagesën e radhës duhet të derdhë në arkën e lobistit të tij personal, Tony Blair. Burime diplomatike kuvajtiane pohuan për gazetën “RD” se, ka pasur një kërkesë zyrtare nga qeveria Rama për 5 milionë euro. “Ne, na është bërë e qartë gjatë takimeve nga zyrtarë të qeverisë se, Kryeministri i Shqipërisë kërkon një ndihmë prej 5 milionë eurosh”.
I pyetur nga gazeta “RD” se, ku konsiston kjo ndihmë, diplomati kuvajtian është shprehur se, “në takimet paraprake të realizuara gjatë përgatitjes së vizitës së zotit Rama në Kuvajt është saktësuar drejtpërdrejt se kjo shumë do të adresohej për nevoja të brendshme të qeverisë dhe më konkretisht për pagesën që duhej bërë ndaj ish-Kryeministrit britanik, Tony Blair, i cili sot është një lobist pranë qeverisë shqiptare”, u shpreh diplomati kuvajtian.
Gazeta e dispononte këtë informacion ditë më parë se Rama të nisej në drejtim të Kuvajtit. Informacioni i parë konfidencial erdhi nga njerëz pranë qeverisë Rama. Ata u shprehën se, Tony Blair pritet të nisë një fushatë të re lobimesh në qarqe të ndryshme diplomatike ndërkombëtare në ndihmë të Kryeministrit Rama në këtë moment të vështirë në të cilën ai gjendet në Shqipëri, për shkak të krizës ekonomike dhe protestave të opozitës. Në këmbim të këtij shërbimi, qeveria duhet të derdhte në arkën e Tony Blair shumën prej 5 milionë eurosh.
Situata jo e mirë financiare e qeverisë ka bërë që Rama t’i kërkojë këto para jashtë Shqipërisë.
Vizita e Ramës në Kuvajt dhe takimi me sheikët bamirës së këtij vendi ka qenë rasti më i mirë që Rama të kërkojë këtë shumë prej miliona eurosh. Vetë Rama ka pasur një histori me Kuvajtin. Gjatë kohës që ishte kryebashkiak i Tiranës, Rama i kërkoi një fond prej 5 milionë eurosh për rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej”. Kuvajti ia adresoi këto para për sheshin, i cili nuk u rikonstruktua sipas planit të Ramës.
6 vjet nga dita që qeveria kuvajtiane dha 5 milionë eurot e para për rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej”, si dhe Xhamisë së Et’hem Beut në vitin 2008, Rama bëri në Kuvajt me një kërkesë tjetër të ngjashme, atë të marrjes së 5 milionë eurove të tjera, kësaj radhe për lobistin Tony Blair dhe jo më për Tiranën apo për shqiptarët.
Rama e pranoi: 5 milionë euro për prioritetet tona
Rama e ka pranuar se ka marrë fondin prej 5 milionë eurosh nga qeveria kuvajtiane për prioritetet e qeverisë socialiste, pa përcaktuar se cilat ishin këto prioritete.
“Ne kemi një ndihmë shumë bujare nga qeveria e Kuvajtit, 5 milionë euro në dispozicionin tonë për përmirësimin e procesit të reformave, si dhe për të na ndihmuar adresimin e drejtë të prioriteteve kyçe”, tha Rama gjatë takimeve të zhvilluara në Kuvajt edhe në prani të mediave, gjë që është pasqyruar edhe në mediat qeveritare.
Ajo çfarë Rama nuk ka thënë ka qenë se përse janë dhënë këto para. Rama ka përmendur adresimin e “prioriteteve kyçe të qeverisë” dhe prioritet kyç i qeverisë në këtë vizitë ka qenë Tony Blair dhe mbushja e arkës së tij me 5 milionë euro nga Rama.
A na anëtarësoi Toni në BE?
Tony Blair do të këshillonte kryeministrin e ri të Shqipërisë, Edi Ramën, se si të anëtarësojë vendin e tij në Bashkimin Europian.
Rama tha se ish-kryeministri britanik do të këshillojë qeverinë shqiptare në mënyrë personale dhe vullnetare, duke përdorur eksperiencën e jashtëzakonshme dhe gjenialitetin politik.
Duke folur nga kryeqyteti i Shqipërisë, Blair tha atëherë se; “Sfida e madhe e kësaj qeverie është që t’i bëjë gjërat”. “Orientimi drejt Europës është shumë i rëndësishëm dhe unë do doja që të shihja këtë vend teksa i bashkohet familjes evropiane”.
Kryeministri Rama tha se, Blair nuk do paguhet për ndihmën që do ofrojë. Lajmi vjen pas raportimeve se Blair ka blerë një avion privat për 30 milionë sterlina, që kushton 7 mijë stërlina për një orë fluturim.
Avioni ka një dhomë ndenje, kuzhinë dhe një krevat. Një zëdhënës i Tony Blair tha: “Zoti Blair dhe ekipi i tij do të ofrojnë këshilla pa asnjë kosto për qeverinë shqiptare se si të modernizojnë dhe të implementojnë një axhendë reformash. Siç ka thënë më parë zoti Blair, nëse zoti Rama do bëhej kryeministër, ai do ishte i lumtur që ta ndihmonte, pasi Shqipëria dhe rajoni kanë shumë rëndësi për të, konflikti në Kosovë ka ndodhur në një kohë të rëndësishme të drejtimit si kryeministër. Ai e uron Ramën për fitoren dhe tani po pret që të punojnë në të ardhmen”.
Në superxhetin 30 milionë paund të Bler
Claudio Gallo
Tony Blair ka marrë superxhetin personal me sallon, kuzhinë dhe dhomë gjumi! Kur ishte Kryeministër, Blair kishte zili Air Force One të Bush dhe fluturonte me qejf në avion xhetet e Khaddafi e Kagame. Qysh kur u është kushtuar konferencave, ka futur në xhep 50 milionë paund dhe tani kurorëzon ëndrrën: ka bërë të tijin një avion xhet privat! Me qira apo të blerë? Ah sikur ta dinim…
Kur ishte Kryeministër, aspiroi pa sukses për një “Blair Force One” që të mos i rrinte poshtë mikut të tij George W. Bush që dispononte perandorakun e tij “Air Force One”. Në mungesë të tij më mirë, nganjëherë ka pranuar ndonjë udhëtim me avionin privat të Khaddaffi, kur Koloneli ishte akoma një mik i madh i Londrës, apo me atë të Paul Kagame, President shumë i pasur i Ruandës shumë të varfër.
Tani që është i Dërguar i Kuartetit për Lindjen e Mesme (fatkeqësisht jo një grup xhazi, por një prej institucioneve ndërkombëtare më të kota) dhe që ka një fondacion të tijin si puna e Bill Clinton, protagonist tjetër i sezonit jetëshkurtër të Rrugës së Tretë, ish-Kryeministri britanik me të qeshur të lumtur, më së fundi ka marrë një avion xhet privat me sallon, kuzhinë dhe dhomë gjumi.
Që avionin “Bombardier Global Express” prej 19 vendesh e ka blerë për 30 milionë paund apo e ka marrë me qira për 7 mijë paund ora, kjo nuk është e qartë. «Në çdo rast – ka thënë një zëdhënës i Blair – kontribuesit nuk do të nxjerrin asgjë nga xhepi». E pse do të duhej?
E përditshmja “Telegraph” ka shkruar se në udhëtimet e fundit, me cilësinë e afaristit apo të konferencierit publik të stërpaguar (Kur foli në vitin 2009 në oborrin e Aliyev, baba padroni kontrovers i Azerbajxhanit, u tha se kishte marrë më shumë se 100 mijë paund) përdor tashmë si normë “Bombardier”-in e zi me rripa të shkëlqyera anash si mitiku “Lotus 72 John Player Special”.
Është parë në Bangkok, në Sardenjë, Zvicër, Ukrainë dhe Izrael. E përditshmja “Daily Mail” bën llogarinë e xhepave të ish-Kryeministrit, të cilin disa e konsiderojnë trashëgimtarin e vërtetë të Margaret Thatcher, njeriut që tërhoqi vendin e tij ngurrues në luftën e Irakut: më 25 gusht është fotografuar në Sardenjë, pak kohë më pas ndodhej në Adirondack, në shtetin e New York, në rreth pothuajse 7 mijë kilometra largësi, një udhëtim prej 8 orësh me koston prej 60 mijë paundësh (mbi 71 mijë euro). Më 2 shtator, nga Londra ka fluturuar me avionin “Bombardier” në Bangkok, me një kosto prej 90 mijë paundësh (mbi 107 mijë euro).
Pas largimit nga Downing Street, në vitin 2007, llogaritet se nga konferenca dhe nga aktivitete të ndryshme, Tony Blair ka fituar 50 milionë paund. Avioni luksoz i përket një shoqërie angleze, e quajtur “Aravco Ltd”, me seli në Aeroportin e Farnborough në Hampshire. Gazeta “Daily Mail” thekson se, shoqëria nuk ka dashur të bëjë komente. Blair vazhdon jetën e tij prej super vipi pa e çarë kokën për kritikat e gazetarëve ziliqarë e thashethemexhinj. Duket dhe Profeti i Rrugës së Tretë, një rrugë e mesme fantazmagorike midis kapitalizmit dhe socializmit, në të vërtetë nuk gjendet edhe aq keq në luksin e shfrenuar të Rrugës së Parë.