Nga Irena Shabanaj
Një çoban do të qethte tufën e deleve. Nga mëngjes deri sa u err u sorollat, edhe gjithë ditën qethi vetëm një dele.
Kur u errësua mirë, u kujtua e thirri gruan dhe i thotë: “Oburra o grua, na sill kandilin dhe të qethim tani nja njëqind copë”.
Kështu është edhe kjo rritja e pensioneve në mandatin e katërt- më shkruan një mik në Facebook!
Por në fakt është më keq, se çobanin e gënjente mendja që atë që nuk bëri ditën ta bënte me kandil natën. Ndërsa kryeministri edhe qeveria e tij janë të qartë se çfarë do të bëjnë mandatin e katërt.
Në fakt ajo qe qeveria ka parashikuar në planifikimin 3-vjeçar, pra deri në vitin 2027 është e shkruar e zeza mbi të bardhë:
1) Politika të reja pensionesh nuk do të ketë. Tek ky zë përfshihet vetëm Indeksimi për inflacionin, i cili nuk është rritje e pensioneve as ligjërisht as ekonomikisht! Qeveria ka parashikuar të shpenzojë për indeksimin përkatësisht:
-1.6 miliardë lekë ne vitin 2025,
-1.7 miliardë lekë ne vitin 2026, edhe
-2 miliardë lekë ne vitin 2027.
Elementi i dyte i parashikuar është bonusi ose dhurata e fundvitit, i cili po ashtu nuk konsiderohet rritje, edhe për të janë parashikuar:
-3.61 miliardë lekë ne vitin 2025
-3.75 miliardë lekë ne vitin 2026
-3.8 miliardë lekë ne vitin 2027…
E pra Çobani ynë bërtet “oburra na votoni se do të ngremë pensionet në mandatin e katërt”, në 3 vitet e para ka parashikuar të përmirësojë mirëqenien e votuesve kryesorë të, tij duke shpenzuar vetëm 0.2 % te PBB -së.
E pra sado të rritet ajo e uruar PBB, 0.2% e saj janë thërrime.
Më dhimbsen pensionistët, por më shumë ka filluar të më dhimbset Kryeministri, të cilit dikush duhet t’i thotë: Kur je në gropë mos gërrmo më!